“Investimi madhor” i Qeverisë Kurti – Inaugurohet Parku dhe këndi i lojërave në Davidoc të e Shtimes

Prishtinë | 02 Kor 2023 | 12:55 | Nga Ekonomia Online

Një “Investim madhor” i Qeverisë Kurti është inauguruar të dielën. Bëhet fjalë për një park dhe kënd të lojërave në Davidoc të Komunës së Shtimes. Ky projekt sipas Zyrës së Kryeministrisë kap vlerën e 144 mijë eurove, e që është bashkëfinancim me Komunën e Shtimes, raporton Ekonomia Online.

E në inaugurimin e saj, përpos kryeministrit Albin Kurti, ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

Sipas ZKM-së, kryeministri Kurti tha se në fund të vitit të kaluar bashkë me kryetarin Aliu, kanë inauguruar edhe parkun tjetër në fshatin Gjyrkoc, i cili tashmë është bërë pjesë e komunitetit të fshatit dhe pikëtakim për fëmijët.

“Urojmë që edhe ky park të kthehet në një vend ku shumë fëmijë dhe grupmosha të ndryshme do të kalojnë kohën e lirë dhe do të përjetojnë momente së bashku. Është pikërisht ky roli i Komunës edhe i Shtetit, që të krijojë hapësira publike për qytetarët e saj, sepse janë këto hapësira publike ato të cilat e inkurajojnë që të kemi një lidhje të fortë të individit me vendin e tij, por edhe me qytetarët e tjerë të cilët i ndajnë këto hapësira”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Me këtë rast, kryeministri tha se shumë shpejtë do të kemi inaugurime të reja në këtë pjesë, sepse pritet të fillojnë dy projekte të rëndësishme, Rehabilitimi i Rrugës Rajonale Transiti me 1.7 milion, si dhe rehabilitimi i Rrugës rajonale Shtime – Lipjan, me vlerë 1.5 milion euro. Që do të sigurojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë komunë.

Qeveria Kurti është vënë shpesh herë në thumb të kritikave për ndalje të investimeve kapitale. Sipas Raportit Financiar të Thesarit të Republikës së Kosovës, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, investimet kapitale kanë qenë vetëm 9 për qind apo më të ulëtat në dhjetë vitet e fundit.

Të ngjashme