Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, Kompanitë e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos dhe Trainkos organizuan tryezën e rrumbullakët lidhur me gjendjen ekzistuese të Hekurudhave të Kosovës dhe integrimin e tyre në rrjetin hekurudhor Evropian.
Kjo tryezë e këtij formati do të veprojë si një platformë diskutimi në mes zyrtarëve të qeverisë dhe palëve të interesuara publike dhe private, si dhe subjekteve tjera, për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e sigurisë në trafik me fokus në transportin hekurudhor.
Diskutimet e folësve u orientuan në realitetet aktuale duke u përpjekur në gjenerimin e ideve për platforma të reja drejt përmirësimit dhe zhvillimit të hekurudhave të Kosovës, si një proces që do të integrojë vendin me vendet fqinje dhe vendet tjera të Bashkimit Evropian.
Muhamet Krasniqi, drejtor i Kolegjit “Tempulli” ka thënë se ky kolegj nga viti 2013 ka trajtuar problemet e sigurisë rrugore, ndërsa me këtë tryezë kanë pasur për qëllim që të vendosim fokusin te hekurudhat, për shkak se një numër i madh i aksidenteve të cilat ndodhin në Kosovë janë edhe në trafikun hekurudhor.
“Krejt ideja është se bashkërisht të merremi me problematiken e transportit hekurudhor në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas tij, këtë vit Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian bashkë me komunitetin ndërkombëtarë ka alokuar mjete të rëndësishme të cilat janë vitale dhe jetike për interesin e hekurudhave të Kosovës.
“Ne bashkërisht t’i elaborojmë të gjitha këto çështje dhe t’i diskutojmë se si duhet të shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë, aq sa është e mundur të involvohet edhe faktori vendor për shkak së këto mjete do t’i japë Evropa”.
Evropa nuk do të qëndrojë këtu gjatë gjithë kohës, ne duhet t’i krijojmë resurset tona të cilat ekspertët tanë të cilët janë për të menaxhuar dhe shikuar mbarëvajtjen e këtyre projekteve”, ka theksuar Krasniqi.
Naim Çitaku zyrtar në hekurudhat e Kosovës theksoi se pas krijimit të një standardi të ri në strukturat hekurudhore, Qeveria e Kosovës ka filluar të intensifikojë infrastrukturën hekurudhore, gjegjësisht investimet në projektet kapitale.
Ai shtoi se autoritet qeveritare të Kosovës kanë konfirmuar gatishmërinë e projekteve të linjave hekurudhore dhe rrugore në vendet në rajon, siç është linja hekurudhore Durrës-Prishtinë-Nish dhe ajo rrugore Merdar-Nish, projekt ky që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.
“Zbatimi i planit pesë vjeçar të sektorit të hekurudhave të jetë sa më i kompletuar ashtu që të kemi zhvillim të këtij sektori, që të ketë ndikim në mënyrë direkte edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës janë të vetëdijshëm se investime në infrastrukturën hekurudhore dhe mjetet lëvizëse është domosdoshmëri për afrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët dhe për mallra, me çka sigurohet kosto më e ulët në transportin e këtyre dy llojeve. Zvogëlimi kostove nënkupton uljen e çmimeve të produkteve ruajtjen e rrugëve zvogëlimin e shpenzimeve të produkteve gjithashtu edhe mirëmbajtja e rrugëve”, ka thënë Çitaku.
Tryeza u organizua nga Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, Kompanitë e Hekurudhave të Kosovës Infrakos SH.A. dhe Trainkos SH.A.