Investitorët potencial në Kosovë tash e tutje do ta kenë një udhëzues ligjor për proceduarat për hapjen e biznesit në vend, e cila ndihmon në procedura të hapjen e deri në mbylljen e një biznesi, raporton Ekonomia Online.
Avokati Urim Vokshi nga Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata”, ka thënë për Ekonomia Online se versionit të deritanishëm në gjuhën angleze dhe frënge do t’i shtohet edhe gjermanisht.
“Si shoqëri e avokatëve, mundem me tregu që kemi një interesim të shtuar prej kompanive të huaja për me ardhë dhe me bë biznes në Kosovë. Lidhur me rregullativën ligjore, kjo ka qenë edhe një shtysë për të cilën ne kemi punuar një udhëzues ligjor për investime të huaja në Kosovë, me qëllim promovimin edhe më shumë Kosovën”.
“I njëjtë është publikuar në gjuhën angleze dhe frënge, ndërsa sot e publikojmë edhe në gjuhën gjermane, ku investitorët gjermano-folës tash do të kenë në duart e tyre një udhëzues ligjor për rregullativën ligjore në Kosovë, e cila përfshinë 16 kapituj prej hapjes ë biznesit, procedurat për hapjen e biznesit, taksën në Kosovë, rregullativën për punësim, të punëtorëve të huaj dhe atyre lokal e deri te procedurat për mbylljen e një biznesi në Kosovë”, ka thënë Vokshi për EO.
Vokshi ka thënë se interesimi i kompanive të huaja për këtë udhëzues është i madh, e cila ka mbërri deri në Afrikën e largët. Sukses pret edhe në gjuhën gjermane, edhe për shkak të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
“Versionet e para të cilat janë publikuar në gjuhën angleze dhe frënge, janë mirëpritur shumë mirë, si në tregun anglisht-folës por edhe në tregun frëngjisht-folës, ku i njëjti është përhapur edhe në disa shtete të Afrikës me qëllim promovimit të Kosovës, ndërsa tash është duke u bërë edhe në gjuhën gjermane, për shkak se ka një numër të madh të shteteve të cilat flasin gjermanisht dhe investitorëve potencial, duke marrë parasysh edhe raportet bilaterale që i kemi me Gjermaninë dhe numrin e madh të investimeve që vijnë nga ky shtet”, u shpreh Vokshi.