Para dy jave, Kosova hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem duke u bërë vendi i parë evropian që hap një përfaqësi diplomatike të këtij niveli në kryeqytetin e kontestuar të Izraelit. Vendosja e ambasadës në Jerusalem ishte ndër vendimet e fundit të Qeverisë së udhëhequr nga Hoti.
Për njohjen që buroi nga Marrëveshja e Washingtonit të shtatorit të 2020 dhe për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem pati shumë reagime, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Disa e përshëndetën këtë hap e të tjerë e kundërshtuan ashpër. Në grupin e fundit bëjnë pjesë Bashkimi Evropian e Turqia, të cilët e kritikuan vendimin e qeverisë kosovare për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Por, është një vend, i cili ndonëse i vogël për nga madhësia, ka rëndësi të posaçme në marrëdhëniet ndërkombëtare që ka heshtur sa i përket kësaj çështje.
Shteti i Vatikanit deri më tani nuk ka folur rreth vendimit të Kosovës për të hapur ambasadën e saj në Jerusalem, shkruan Reporteri.net.
Megjithatë, sa i përket çështjes së Jerusalemit, Selia e Shenjtë është e qartë.
Ati i shenjt i katolikëve, Papa Françesku, pati reaguar kur ish-presidenti i SHBA-së njohu Jerusalemin për kryeqytet të Izraelit.
Atëbotë i pari i kishës katolike deklaroi se nuk mund të heshtët për shqetësimet e thella për Jerusalemin.
Tutje, Papa pati kërkuar respektimin e status quosë të qytetit në përpikmëri me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.
Por, Vatikani ka zgjedhur të heshtë rreth hapjes së Ambasadës kosovare në Jerusalem.
Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka disa ditë që ka dërguar email në adresë të Selisë së Shenjtë për të marrë një qëndrim të Papatit rreth vendimit të Kosovës për të hapur përfaqësinë e saj diplomatike në Kosovë.
Por, edhe pas ridërgimit të pyetjeve, ka munguar përgjigja e shtetit të Vatikanit.
Megjithatë, për këtë çështje janë deklaruar Ipeshkvia e Kosovës, të cilët Gazeta Online ‘Reporteri.net’ i ka pyetur nëse e mirëpresin këtë hap të shtetit kosovar.
Në një përgjigje me shkrim, ata kanë thënë se vendimi për hapjen e ambasadës në Jerusalem është çështje e diplomacisë së Kosovës.
“Këto janë çështje dhe vendime nën kompetenca të Shtetit tonë, përkatësisht diplomacisë së Kosovës, dhe ne zakonisht nuk i komentojmë ato, nëse nuk bien ndesh apo cenojnë çështjen tonë kombëtare dhe të ardhmen e vendit tonë’’, tha Ipeshkvia e Kosovës në përgjigjen për Reporteri.net.
Kujtojmë që Bashkimi Evropian e Turqia patën reaguar për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem duke i kërkuar palës kosovare të respektojnë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat nuk e njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Madje në adresë të Kurtit pati edhe letra nga shteti turk, që i kërkonte ta rishqyrtonte këtë pozicion të Kosovës karshi temës së Jerusalemit.
E Kryeministri i tanishëm i vendit, Albin Kurti, i ka premtuar Turqisë se do ta rishqyrtojë këtë vendim.
Në letrën e urimit për Kurtin, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, i kërkoi edhe një herë të parit të qeverisë kosovare ta rishqyrtonte vendimin për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Njohja e ndërsjelltë Izrael-Kosovë ishte pjesë e ‘Marrëveshjes’ së Ëashingtonit dhe ishte negociuar nga Presidenti Trump.