Ipeshkvia e Kosovës në Katedralen “Shën Tereza” në Prishtinë ka organizuar pritje me rastin e Krishtlindjeve ku shumë personalitete erdhën të uronin Krishtlindjet, raporton Ekonomia Online.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i pranishëm në Katedrale ka uruar festat e Krishtlindjeve dhe tha se qytetarët duhet të respektojnë njëri-tjetrin dhe të kenë bashkëpunim më të mirë me secilin, duke punuar së bashku për të mirën e vendit, edhe të tjerët do të na vlerësojnë më shumë.
“Të urojmë një jetë të lumtur të respektojmë njërit-tjetrin të mirëkuptohemi, të dialogojmë, të ecim përpara, të punojmë më mirë për vendin, shtetin e shoqërinë. Duke punuar më mirë për vendin edhe të tjerët do të na vlerësojnë edhe më shumë e do na besojnë më shumë edhe në vlera tona, ju ftoj të punojmë më shumë me urtësinë e Nënës Terezë, me trimërinë e Skënderbeut dhe ne si shtet jemi në rrugë të mbarë dhe shpresoj se viti i ardhshëm do ketë më shumë paqe, harmoni e respekt të ndërsjellë”, tha Thaçi.
Kryeparlamentari, Kadri Veseli si shenjë respekti dhe duke respektuar festën e krishtlindjes dha një dhuratë të cilën ai e konsideroi të shenjtë. Veseli dhuroi një statujë të Pjetër Bogdanit në Katedralen “Shën Tereza”.
“Ne duhet të bëhemi bashkë të jemi më afër dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, ju uroj për kontributin e sakrificën e shërbimin që i bëjnë vendit tonë”, tha Veseli.
“Kemi paguar sakrificën me mbajt gjallë krishterizimin dhe europianizmin, kemi sakrifikuar shumë edhe Pjetër Bogdani ka sakrifiku por trashëgimia e tij është shenjë e secilit shqiptar”, shtoi Veseli.
Ndërsa, Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji si nikoqir i kësaj pritjeje ka falënderuar të gjitha autoritetet e pranishme që erdhën për të festuar së bashku Krishtlindjet. Ai tha se është kënaqësi e tij të i përshëndes të gjithë që kanë ardhur me bashkëndarë me të gëzimin e festave dhe të përçojnë mesazhin e dashurisë për në gjithë Kosovën, raporton EO.
“Lindja e Krishtit është fillimi i një dialogu mes zotit e njeriut, ky dialog vazhdon zgjon sepse zoti dëshiron të dialogoj me gjithë njerëzimin, duke qenë se jemi në një fazë paqeje dhe në një moment kur duhet të vazhdohet dialogu dua që të i them disa porosi që dua të i lexoj të jem më i saktë”, tha ai.
“Nëse njeriu nuk ka pasur frikë të dialogoj me botën aq më pak duhet të kemi ne që të dialogojmë mes vete në familje, shoqëri, parti, popuj sepse dialogu është parakusht i paqes, pajtimit e të mirës të përbashkët, buron nga vullneti i mirë për të ardhme të mirë për të gjithë, askush nuk duhet ndjerë i lodhur nga dialogu dhe të mohoj nevojën për të”, shtoi Dodë Gjergji.
Ai tha se bashkëbisedimi me të tjerët duhet të vazhdoj në mënyrë që të jemi më të afërt me njëri-tjetrin.
“Në këtë ditë krishtlindje dua të ftoj popullin tim të jetë i vetëdijshëm se rrugëtimi i ynë në popujt e qytetëruar ka qenë i vështirë, kjo u arrit me mund, djersë e gjak dhe duhet të kihet kujdes që asnjë dështim i yni apo padrejtësi që bëhet nga tjerët të mos ndaj bashkëbisedimin tonë me të tjerët”
Ipeshkvi, Dodë Gjergji tha se Evropa duhet të kenë më shumë besim tek populli shqiptar dhe se ne nuk jemi rrezik për ta.
“Ftoj popujt e Evropës të jenë më të drejtë dhe të kenë më shumë besim tek shqiptarët, ne shpresojmë barazi në mesin e popujve. Popujt e Evropës nuk duhet të shohin popullin tim si rrezik, por si trashëgimi qytetërimi, popujt e rajonit të mos thurin të ardhmen e rajonit pa bashkëpunim me ne”, tha ai.
“Uroj që Krishti të mbush zemrat tuaja me dashuri, ju dhashtë forcën të përballoni padrejtësitë e botës e ju ngushëlloftë në pikëllim”, uroi Dodë Gjergji.
“Ju garantoj se unë dhe Kisha do të jemi gjithmonë në shërbim të njerëzve, dashurisë, paqes dhe mesazheve të mira”, tha në fund ai.