IPK-ja kthen në punë policin që plagosi vëllain e Butës pasi la të vdekur 30 vjeçarin në Ferizaj

Prishtinë | 30 Maj 2022 | 19:35 | Nga Ekonomia Online

Një ngjarje e rëndë ka tronditur të premten qytetin e Ferizajt. 30-vjeçari Gazmend Hyseni, ka mbetur i vrarë ndërsa është plagosur personi i dyshuar për vrasjen, Qëndrim Januzi.

Sipas pamjeve të publikuara në media, e gjithë ngjarja ka ndodhur në prani të Policisë të cilët ishin rastësisht në vendngjarje, e ku më pas pjesëtari i Policisë, Njësiti Antidrogë në Ferizaj, ka qëlluar në drejtim të Januzit.

Zyrtari policor fillimisht ishte suspenduar për 72 orë, por pas verifikimit të pamjeve filmike, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka vendosur që të mos rekomandojë vazhdimin e suspendimit.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, i cili tha se rasti do të hetohet në procedurë të rregullt.

“Fillimisht ishte vlerësuar nga hetuesi që zyrtari policor të suspendohet për 72 orë, deri në sqarimin e rrethanave të rastit. Por, pas verifikimit të pamjeve filmike, IPK ka vendosur që mos të rekomandojë vazhdimin e suspendimit, ndërkaq rasti do të hetohet në procedurë të rregullt, sipas autorizimeve të Prokurorisë”, deklaroi Hodaj.

Të ngjashme