Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, me bashkëpunëtor, po merr pjesë në Konferencën Profesionale Vjetore dhe Asamblenë e Përgjithshme të EPAC/EAC – Partnerët Evropian Kundër Korrupsionit (Europian Partners Against Corruption and Eurpian) e cila po mbahet këtë javë në Bukuresht të Rumanisë.
Bëhet e ditur se pjesë e kësaj konference janë, Agjencitë Mbikëqyrëse të Policisë dhe Agjencitë Antikorrupsion të Evropës. Gjatë ditës së parë pjesëmarrëseve iu drejtua ministri i Punëve të Brendshme të Rumanisë, presidenti i EPAC/EACN Linas Pernavanas, shefja e Prokurorisë Evropiane, shefi i Sektorit Antikorrupsion në Komisionin Evropian dhe zyrtarë tjerë të lartë nga mekanizmat e zbatimit të ligjit në Bashkimin Evropian.
“Folës të tjerë dhe ekspertë do të diskutojnë gjatë konferencës për mundësitë e bashkëpunimit në hetimin e korrupsionit, mjetet dhe zhvillimet në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, trajnimet për ndërtimin e integritetit në institucionet e zbatimit të ligjit dhe mbikëqyrjen policore. Kryeshefi Hodaj dhe delegacioni i IPK-së takuan presidentin e EPAC/EACN z. Linas Pernavas dhe udhëheqës të shumë institucioneve të mbikëqyrjes policore dhe Antikorrupsionit nga Evropa të cilët po marrin pjesë në këtë konferencë”, njofton zyra për informim e IPK-së.
Gjithashtu bëhet e ditur se përveç punimeve të konferencës gjatë ditës së nesërme do të mbahet Asambleja e Përgjithshme ku do të vendoset për anëtarësime të reja dhe do të zgjedhën organet drejtuese të këtij mekanizmi të rëndësishëm, në të cilin IPK ndër vite është anëtar vëzhgues.