IPK pranon vetura dhe pajisje të ndryshme nga misioni i EULEX-it

Prishtinë | 21 Tet 2021 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës sot në një ceremoni të organizuar në Hajvali pranoi një donacion nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Shefi i këtij misioni Lars-Gunnar Wigemark i dorëzoi Inspektoratit Policor të Kosovës një donacion që përfshiu tri vetura dhe pajisje të ndryshme duke përfshirë edhe pajisje të teknologjisë informative.

Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së Kushtrim Hodaj në një fjalë rasti gjatë kësaj ceremonie  e falënderoi  Shefin e Misionit EULEX për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të dhënë nga ky Mision në ngritjen e kapaciteteve të agjencive të zbatimit të ligjit në përgjithësi duke përfshirë edhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

“IPK vlerëson lart bashkëpunimin me institucione të Bashkimit Evropian e sidomos me Misionin e EULEX-it dhe ky bashkëpunim ka ndikuar që IPK të rris kapacitetet e saj profesionale.”- theksoi ndër të tjera Hodaj duke u zotuar që IPK mbetet e përkushtuar që të vazhdoj këtë bashkëpunim në mënyrë që sundimi i ligjit të mbetet prioritet për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit e në veçanti për IPK-në.


Të ngjashme