IPKO ka njoftuar përdoruesit se kodin +383 ta fusin në përdorim në platforma online si Gmail dhe Facebook.
Njoftimi i plotë:
Ju kujtojmë që disa ofrues të shërbimeve në platformat online, e kanë shtuar kodin e Kosovës 383 nëpër platformat e tyre. Ndërkohë, të gjithë përdoruesit e autentifikimit apo verifikimit të dyfishtë përmes numrave të IPKO-së, duhet të përditësojnë numrat nga 386 në 383 në ato platforma që e kanë njohur kodin, siç janë Gmail, Facebook etj.
Përderisa në platformat tjera, të cilat nuk e kanë vënë si opsion kodin e ri shtetëror të Kosovës 383, rekomandojmë të gjithë klientët e IPKO-së, të cilët përdorin numrin e tyre me kodin 386 përmes kanalit të Autentifikimit Dy Faktorësh, që të largojnë numrat nga këto platforma online dhe të gjejnë forma të tjera alternative në rritjen e sigurisë së llogarive të tyre, derisa ato të njohin kodin tonë shtetëror telefonik.
Nëse nuk përditësohet numri me kodin 383, apo nëse nuk zëvendësohen këta hapa të sigurisë me forma të tjera, atëherë rreziku është i lartë që ata të cilët nuk kanë përcjellë këto rekomandime, të mos mund të kyçen në llogaritë e tyre, pas datës 30 qershor 2019. Në rast që u pamundësohet kyçja në llogari, atëherë duhet që të kontaktojnë platformat individualisht, në mënyrë që t’u mundësohet kyçja.