IPKO Superliga e Kosovës këtë fundjavë do ta sjellë derbin e madh, i cili do t’i vë përballë kampionen aktuale, Drita dhe fituesen e Kupës dhe Superkupës, Prishtina.
Për dallim nga sezoni i kaluar, kur kampioni u vendos në xhiron e fundit pikërisht në mes të këtyre dy skuadrave, këtë edicion gjërat qëndrojnë ndryshe.
Gjilanasit janë të relaksuar para kësaj loje dhe do të luajnë pa presion, kurse kryeqytetasve iu nevojiten tri pikët këtë të shtunë më shumë se kurrë.
Prishtina po e ndjek titullin e kampionit dhe nuk ka vend për gabime në katër xhirot e fundit të kampionatit.
Ndërkohë, lideri Feronikeli do të luajë në derbin lokal me Drenicën si mysafir dhe llogarit në fitore për ta ruajtur primatin.
E kandidati i tretë për titull të kampionit, Llapi e pret të dielën Trepçën ’89 në shtëpi, duke shpresuar në një gabim të dy rivalëve për ta rrëmbyer eventualisht lidershipin.
Kurse, dy ndeshje të tjerë do të jenë mjaft të rëndësishme për barazh dhe mbijetesë të dielën.
Gjilani e pret në shtëpi Flamurtarin, dy skuadra këto që po mundohen t’i shmangen barazhit.
Kurse, në duelin tjetër, Liria nëse mposhtet edhe nga Ferizaj do t’i thotë përfundimisht lamtumirë IPKO Superligës.
Ballkani nga ana e tij shihet si favorit përballë KEK-ut në udhëtim.
Edhe këtë javë, ndeshjet kryesore të IPKO Superligës i transmeton platforma televizive IPKO përmes kanaleve të Super Sport Kosova.