Kompania “IPKO” ka zhvilluar një platformë, e cila u ofron bizneseve në Kosovë që të krijojnë uebfaqe profesionale për vetëm 9.95 euro në muaj.
MyWeb është platforma e re e zhvilluar nga IPKO e cila u ofron bizneseve në Kosovë mundësinë e prezantimit profesional dhe rritjes së biznesit, duke qenë gjithnjë e më afër konsumatorëve të tyre, në çdo ditë të vitit, 24 orë në ditë, bëhet e ditur në një komunikatë shtypi të IPKO-s.
“Bashkë me uebfaqen e re profesionale, me secilën nga pakot e zgjedhura në MyWeb, IPKO ofron edhe emailat zyrtarë me emrin e biznesit, dhe një numër të nën-faqeve. Me MyWeb IPKO e ka bërë të mundur që uebfaqja profesionale e biznesit tani të kushtojë më pak sesa shtypi i biznes-kartelave personale apo materialeve tjera promovuese”.
“Përveç ndërtimit të infrastrukturës së plotë të teknologjisë së informacionit në vend me internet dhe teknologjitë e fundit 3G dhe 4G, të cilat e kanë shumëfishuar numrin e përdoruesve të internetit, përdorimit të përgjithshëm të teknologjisë dhe biznesve digjitale, IPKO sot po e fillon edhe një epokë të re për bizneset në Kosovë, të cilave ua ka mundësuar transformimin e plotë në ekosistemin digjital, përmes krijimit të uebfaqeve profesionale në internet, për kostot më të ulëta të mundshme në treg” ka thënë Alban Kastrati, drejtues i marrëdhënieve me publikun në IPKO.
Për ta ndërtuar ueb-faqen e tyre, bizneset duhet të zgjedhin njërën nga katër pakot e përgatitura në MyWeb, varësisht nga kompleksiteti i kërkesës së tyre (madhësia e uebfaqes, numri i e-mailave dhe faqeve, nënfaqeve apo dizajni grafik).
“Kalimi i gjithë bizneseve kosovare në domenin digjital do të dëshmohet si hapi më i drejtpërdrejtë për avancimin e secilit biznes të vogël apo të mesëm në Kosovë” ka thënë më tej Kastrati.
Pakoja fillestare për krijimin e uebfaqes me MyWeb fillon prej 9,95 euro në muaj, ndërsa pakoja më e madhe për uebfaqe të biznesit është Gold, me 39,95. Më shumë informacione mund të gjenden në: myweb.ipko.com