Iran Badalli, të cilit i është caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata, nën dyshimet se ka vendosur eksploziv në shtëpinë e tij ku mbeti i vrarë polici Sami Thaqi dhe u plagosën dy të tjerë ka mohuar se është në dijeni të ngjarjes që ndodhi në shtëpinë e tij.
Në seancën për caktimin e paraburgimit, pasi që atij iu larguan prangat, gjyqtari i procedurës paraprake e njoftoi për arsyen e arrestimit.
“Nuk është e vërtetë“, deklaroi i dyshuari Iran Badalli, duke mohuar se është në dijeni të asaj çfarë ka ndodhur dy netë më parë.
Pasi i dyshuari Iran Badalli u lirua nga prangat dhe u ul para gjyqtarit, i njëjti e pyeti se a ka vërejtje në trajtimin e tij në Gjykatë dhe prej momentit të arrestimit, Badalli tha se nuk kishte asnjë vërejtje.
“Shteti që ti e ke sulmuar po të trajton njerëzisht“, i tha gjyqtari, i cili vendosi që Badalli të qëndrojë nën masën e paraburgimit.
Kur prokurori i rastit Metush Biraj lexoi kërkesën e prokurorisë për caktim të paraburgimit dhe veprat për të cilat dyshohet Iran Badalli, i njëjti mohoi të jetë në dijeni për ngjarjen e ndodhur.
Iran Badalli tha se ditën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë në shtëpi prej orës 15:30.
“Jam largu nga shtëpia e nuk jam kanë aty prej masdites, vetëm fëmijët janë kanë në shtëpi”, tha Badalli.
I njëjti deklaroi se fillimisht kishte telefonuar vajzën e tij.
“Jemi kanë t`u fol edhe është ndal telefoni, kur e kam thirr prapë më është lajmëru Policia edhe m’kan thanë me shku në shtëpi”, deklaroi Iran Badalli, duke shtuar se është drejtuar për tek shtëpia e tij.
“Qysh ka ndodh ngjarja nuk e di, se di pse ka ndodh ashtu“, deklaroi Badalli lidhur me ngjarjen e ndodhur në katin e dytë të shtëpisë së tij ku mbeti i vrarë në detyrë polici Sami Thaqi.
I dyshuari Iran Badalli është i arrestuari për ngjarjen e ndodhur në shtëpinë e tij ku mbet i vrarë në detyrë Polici Sami Thaqi.
I njëjti po dyshohet për kryerjen e tri veprave penale, ndero to edhe atë të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.