Ministria e Jashtme e Iranit e ka dënuar vendimin e Bahrejnit për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike me Izraelin, duke e quajtur vendim të turpshëm dhe të ulët.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten për normalizimin e raporteve të Izraelit me Bahrejnin, katër javë pasi një marrëveshje e ngjashme ishte arritur edhe mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, shkruan Free Europe.
“Ky ishte një vendim i turpshëm dhe i ulët që në histori do të futet si akt skandaloz”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Iranit.
Kjo ministri e akuzoi Bahrejnin për sakrifikimin e palestinezëve që po vuajnë për një kohë të gjatë për hir të fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump.
“Populli palestinez dhe bota islame kurrë nuk do të pranojnë një normalizim të marrëdhënieve me Izraelin”, thuhet në deklaratë.
Muajin e kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli u pajtuan për normalizimin e marrëdhënieve në kohën e spekulimeve se të njëjtin shembull do ta ndiqte edhe Bahrejni.