Qeveria iraniane ka njoftuar se vendosja e maskave në hapësira të mbyllura do të bëhet obligative dhe ata që refuzojnë t’i vendosin ato nuk do të mund të marrin shërbime publike.
Presidenti i Iranit,Hassan Rouhani, i bëri të ditura masat e reja gjatë një fjalimi drejtuar popullit të shtunën. “Punëtorët qeveritarë nuk duhet t’u shërbejnë njerëzve që nuk kanë vendosur maska dhe punëtorët që nuk i vendosin ato duhet të cilësohen mungues dhe të dërgohen në shtëpi”, tha ai.
Rouhani gjithashtu tha se personat e infektuar e kanë si detyrë fetare që t’i informojnë të tjerët, duke shtuar: “Mbajtja sekret e infeksionit tënd i shkel të drejtat e njerëzve të tjerë”.
Qeveria e Iranit është përpjekur t’i bindë njerëzit për të vendosur maska përmes një fushate në televizionin publik, në të cilën thuhet se koronavirusi nuk është shaka, shkruan “The Guardian”
Të shtunën, uebfaqja e qeverisë iraniane e publikoi një fotografi të presidentit Rouhani me maskë, ndonëse ai rrallë është parë me maskë në publik.
Deri më tani, Irani i ka regjistruar 237,878 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa 11,408 kanë vdekur. Këto shifra e bëjnë Republikën Islamike vendin më të prekur nga virusi i ri në Lindjen e Mesme.