Irani e ka informuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore se planifikon ta pasurojë uraniumin deri në 20 për qind pastërti. Kjo shifër është shumë larg mbi kufizimin e caktuar sipas marrëveshjes ndërkombëtare.
“Irani e ka informuar agjencinë se me qëllim të respektimit të një akti ligjor të miratuar së fundi në kuvendin e shtetit, Organizata e Energjisë Atomike e Iranit synon të prodhojë uranium me pastërti deri në 20 për qind në Fabrikën për Pasurimin e Karburanteve, Fordow”, thuhet në deklaratën e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.
Irani tash për tash është duke e pasuruar uraniumin me 4.5 për qind përqindje të pastërtisë. Edhe kjo shifër është mbi pragun prej 3.67 për qind të pastërtisë, që është vendosur në marrëveshjen me fuqitë e mëdha në vitin 2015. Sidoqoftë, për prodhimin e armëve bërthamore nevojitet uranium me pastërti prej 90 për qind.
Irani gradualisht e ka ngushtuar zbatimin e zotimeve të caktuara në marrëveshjen ndërkombëtare, prej kohës kur Shtetet e Bashkuara më 2018 u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga pakti dhe vendosën sanksione të rënda ndaj republikës islamike, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
Pas vrasjes së shkencëtarit iranian për energji bërthamore, Mohsen Fakhrizadeh, më 27 nëntor, kuvendi i këtij shteti miratoi legjislacion kundërthënës, me të cilin urdhërohet zgjerimi i menjëherëshmë i programit për pasurimin e uraniumit deri në 20 për qind dhe përfundimi i inspektimeve të Agjencisë Ndërkombbëtare për Energji Bërthamore.
Sidoqoftë, qeveria e presidentit Hassan Rohani e ka kundërshtuar ligjin e ri, duke thënë se ai është i dëmshmëm për përpjekjet diplomatike dhe se nuk janë ndarë fonde për zbatimin e ligjit.