Irani e ekzekuton “njërin nga spiunët më të rëndësishëm” për Izraelin

Prishtinë | 29 Sht 2025 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Irani të hënën ekzekutoi një burrë të quajtur Bahmna Choubi-asl, tha mediumi i sistemit gjyqësor iranian “Mizan”, duke thënë se ai ishte “njëri nga spiunët më të rëndësishëm për Izraelin në Iran”.

I përfshirë me dekada në një luftë në hije me Izraelin, Irani ka ekzekutuar shumë individë që i ka akuzuar për lidhje me shërbimin izraelit të inteligjencës, Mossad, dhe për lehtësimin e operacioneve të kësaj agjencie në territorin e Iranit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Qëllimi kryesor i Mossad-it në tërheqjen e bashkëpunimit me të pandehurin ishte që të sigurohej baza e të dhënave e institucioneve qeveritare dhe të krijohej një rrjedhje në qendrat iraniane të të dhënave, bashkë me të cilat ndoqi edhe qëllime dytësore, përfshirë hetimin e rrugës së importimit të pajisjeve elektronike” – tha mediumi “Mizan”.

Gjykata Supreme e kishte hedhur poshtë apelin e të pandehurit dhe e konfirmoi dënimin me vdekje, thuhet më tej në njoftim.

Konflikti mes Iranit e Izraelit u shndërrua në një luftë të drejtpërdrejtë në qershor, kur Izraeli sulmoi caqe të ndryshme brenda Iranit. Disa prej operacioneve u mbështetën në dislokimin e komandove të Mossad-it thellë brenda vendit.

Numri i ekzekutimeve të iranianëve të dënuar për spiunim për Izraelin është rritur dukshëm këtë vit. Të paktën dhjetë dënime me vdekje janë zbatuar në muajt e fundit.

Të ngjashme