Me një të vdekur për çdo dy minuta, numri i viktimave të koronavirusit në Iran është duke u rritur shpejt. Varianti Delta e ka shtuar edhe numrin e infektimeve dhe spitalet po stërmbushen me pacientë.
Në këtë gjendje të vështirë, ka edhe mungesë të madhe të oksigjenit dhe materialeve të tjera. Shumë iranianë janë të zemëruar me udhëheqësit e tyre rreth fushatës së vaksinimit, e cila ka mbetur shumë prapa shteteve tjera.
“Gjendja është katastrofale. Spitalet e kanë arritur kufirin e tyre. Nganjaherë vetëm presin që pacientët të vdesin, sepse nuk ka trajtim për këtë numër të pacientëve”, thotë Amir Ali Savadkuhi, kryetar i Shoqatës së Kujdesit Intensiv në Iran.
Me shifrën ditorë të të vdekurve që ka shkuar në nivel rekord – mbi 500 – ditëve të fundit, ekspertët shëndetësorë thonë se numri i vërtetë i të vdekurve dhe i të infektuarve me gjasë është dukshëm më i lartë sesa shifrat zyrtare.