Irani njoftoi të enjten se ka bërë një lëshim të ri në hapësirë, veprim që me gjasë do t’i zemërojë fuqitë perëndimore në kohën e bisedimeve të vështira për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
“Lëshuesi i satelitëve Simorgh barti tri ngarkesa kërkimore në hapësirë. Qëllimet kërkimore të parashikuara për këtë lëshim janë arritur”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit, Ahmad Hosseini.
Në shkurt, Irani kishte njoftuar për një testim të suksesshëm të lëshuesit më të fuqishëm të satelitëve, Zoljanah, duke u mburrur që ky mjet mund të dërgojë në orbitë ngarkesë prej 220 kilogramësh.
Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për këtë lëshim, duke thënë se testimi mund ta fuqizojë teknologjinë e raketave balistike të Iranit në një moment kur dy vendet po i kthehen ngadalë diplomacisë, shkruan France24, përcjell Gazeta Express.
Irani me sukses e dërgoi satelitin e vet të parë ushtarak në orbitë në prill të vitit 2020, duke nxitur reagim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara.
Republika Islamike këmbëngul se programi i saj shërben vetëm për qëllime civile dhe të mbrojtjes dhe nuk shkel ndonjë marrëveshje ndërkombëtare apo marrëveshjen bërthamore.