Irani shënon shifrën më të lartë të viktimave dhe rasteve të Coronavirusit që nga shkurti

Prishtinë | 14 Tet 2020 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Irani i ka raportuar 279 viktima të Coronavirusit gjatë 24 orëve të kaluara, që është shifra më e lartë ditore që nga muaji shkurt.

Kështu, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga pandemia në Republikën Islamike shkoi në 29.349, shkruan The Guardian.

Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Sima Sadat Lari, i tha televizionit shtetëror se, përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 4.830 raste të reja të koronavirusit, që gjithashtu ishte shifër rekorde. Numri i përgjithshëm i rasteve ka shkuar në 513.219.

Ministri i Shëndetësisë, Saeed Namaki, tha se nga e enjtja do të vendosen kufizime në udhëtime në pesë qytete, përfshirë kryeqytetin Tehran, ku përhapja e virusit është në nivelin më të lartë.

Zyrtari i lartë paralajmëroi muaj shumë të vështirë në vijim në vendin më të prekur nga pandemia në Lindjen e Mesme.

Qeveria të shtunën vendosi që maskat në hapësira publike të jenë të detyrueshme në kryeqytet, duke paralajmëruar se ata që nuk e respektojnë këtë masë do të gjobiten. Autoritetet po planifikojnë që të njëjtin hap ta bëjnë edhe në qytetet tjera të mëdha.

Të ngjashme