Irani vendos vetë, s’ndërron qëndrim me një telefonatë, si disa shtete

Prishtinë | 27 Mar 2021 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Jashtme i Kinës, Wang Yi, ka bërë një deklaratë thumbuse me rastin e nënshkrimit të një marrëveshjeje për bashkëpunim 25-vjeçar mes vendit të tij dhe Iranit.

“Marrëdhëniet tona me Iranin nuk do të ndikohen nga gjendja e tanishme, por do të jenë të përhershme dhe strategjike”, tha kryediplomati kinez.

“Irani vendos në mënyrë të pavarur për marrëdhëniet e veta me shtetet tjera dhe nuk është si disa shtete që e ndryshojnë pozicionin e tyre me një thirrje telefonike”, shtoi ai, pa saktësuar se cilave vendeve po u referohet.

Diplomati kinez u takua me presidentin iranian, Hassan Rouhani, para nënshkrimit të marrëveshjes, e cila parasheh investime kineze në sektorë të rëndësishëm si energjia dhe infrastruktura, shkruan Reuters.

Kina, një nga partneret më të mëdha të Iranit në tregti dhe aleate e vjetër e tij, më 2016 u pajtua që ta shtonte tregtinë reciproke për më shumë se dhjetë fish në mbi 600 miliardë dollarë për një dekadë.

Ministria e Tregtisë e Kinës tha të enjten se Pekini do të mundohet që ta ruajë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore.

Të ngjashme