Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, i ka bërë thirrje Iranit që të mos e kryejë ekzekutimin e një burri të arrestuar në moshën 17-vjeçare e të dënuar me vdekje, pasi ka vlerësuar se gjykimi i tij ka qenë shumë i padrejtë.
Arman Abdolali është vendosur i vetëm në një qeli të një burgu në Karaj, në perëndim të Teheranit, ndërsa ekzekutimi i tij është caktuar për të mërkurën, më 13 tetor, thuhet në deklaratën e grupit me seli në Londër, të lëshuar të hënën.
Diana Eltahway, nëndrejtoreshë e organizatës “Amnesty International” për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, u bëri thirrje autoriteteve iraniane që menjëherë t’i ndërpresin planet për ekzekutimin e këtij personi, duke thënë se dënimi me vdekje ndaj personave që kanë qenë më të rinj se 18 vjeç në kohën e kryerjes së krimit është i ndaluar me ligjin ndërkombëtar dhe përbën sulm ndaj të drejtave të fëmijëve.
Abdolali është dënuar me vdekje në janar të vitit 2020 dhe në korrik të këtij viti për vrasjen e të dashurës së tij, por ekzekutimi është parandaluar falë reagimeve të shumta ndërkombëtare, tha organizata e njohur për të drejtat e njeriut.
E dashura e të dënuarit ishte zhdukur në vitin 2014 dhe trupi i saj nuk u gjet asnjëherë, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
Pas dënimit të parë më 2015, Gjykata Supreme kishte vendosur që të dënuarit t’i ofrohet e drejta e rigjykimit. Rasti ishte më shumë i përqendruar në përcaktimin e pjekurisë së të dënuarit në kohën e kryerjes së krimit. Gjykata vendosi që i dënuari bart përgjegjësi, sepse mungojnë provat për ta përcaktuar nivelin e pjekurisë disa vjet pas krimit.