Irfan Lipovica, i cili ishte arrestuar nën dyshimin për përfshirje në rastin e njohur si rezervat shtetërore, u emërua drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës me vendim të Qeverisë të martën, raporton Ekonomia Online.
Lipovica ishte arrestuar nën dyshimin për rastin e njohur si rezervat shtetërore.
Ministrja e Industrisë, i Ndërmarrësisë dhe i Tregtisë, Rozeta Hajdari, në shpjegimin e propozimit ka thënë se ky institucion ka rëndësi të lartë për ekonominë.
“Akreditimi si një proces me rëndësi të lartë për ekonominë vërteton cilësinë dhe besueshmërinë e institucioneve dhe bizneseve, pasi përmes këtij procesi vlerësohet përputhshmëria e produkteve dhe proceseve e shërbimeve me standarde ndërkombëtare dhe vendore, duke garantuar që ato të ofrojnë një nivel të lartë të cilësisë”, ka thënë ajo.
Lipovica u arrestua si zyrtar i MINT-it në mes të gushtit 2023, pas një aksioni të Prokurorisë Speciale në këtë ministri. Përveç tij, u arrestuan edhe Hafiz Gara dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.
Ata u liruan nga paraburgimi në fund të gushtit.
Muharremi dyshohej se kishte ndihmuar dy zyrtarët shtetërorë, Lipovicën dhe Garën, të shkelin ligjin gjatë procesit të blerjes së rezervave shtetërore. Sipas Prokurorisë, shteti pësoi një dëm prej rreth 600,000 eurosh në këtë proces.
Ministrja Rozeta Hajdari deklaroi se zyrtarët e MINT-it janë të pafajshëm dhe nuk kanë kryer shkelje ligjore.
Në lidhje me çështjen e rezervave shtetërore, për një intervistë është ftuar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka kërkuar që prokurorët ta intervistojnë në zyrën e tij.
Aktualisht, Lipovica ka disa muaj që ushtron detyrën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës.