Irlanda e Veriut synon t’i shmanget rënies në Ligën D të Ligës së Kombeve.
Aktualisht, kjo Kombëtare është pjesë e Ligës C, ku bën pjesë në Grupin 2 së bashku me Kosovën, me Greqinë dhe me Qipron.
Aktualisht, veri-irlandezët gjenden në vendin e tretë me 2 pikë, njëjtë sa i ka edhe Qipro, ndërsa është në kërkim të fitores së parë, në mënyrë që të mos bie në një ligë më poshtë të kësaj gare.
Trajneri Ian Baraclough është i vendosur që me ekipin e tij t’i mposhtë “Dardanët” të shtunën pasi e kishte humbur lojën e parë nga ta 2:3 në Prishtinë në muajin qershor.
“Po, ne nuk duam të biem në vendin e katërt. Kjo nuk është në planin tonë dhe rezultatet në këtë Ligë të Kombeve janë çelës i vetëbesimit para shortit të ardhshëm, i cili do të mbahet muajin tjetër (për Euro 2024)”, deklaroi fillimisht trajneri i Irlandës së Veriut.
“Ne e dimë se përpara nesh dhe lojtarëve ekziston një fokus total për ta gjetur fitoren”, vazhdoi Baraclough, i cili synon ta shmang “play-offin” e rënies në Ligën D.
Ai u vërshëllye nga disa tifozë pas barazimit 2:2 në shtëpi ndaj Qipros në muajin qershor, ndërsa Irlanda e Veriut i zhvilloi katër lojë në atë muaj dhe nuk e regjistroi asnjë fitore.
Tash, kjo Kombëtare do të përballet këtë të shtunë me Kosovën në “Windsor Park” dhe me Greqinë në udhëtim të martën tjetër, në dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, shkruan “Gazeta Express”.
“Ne duam të fitojmë për ta rikthyer vetëbesimin. Nuk ka asgjë më të mirë sesa fitorja dhe kjo ndeshje në shtëpi me Kosovën është e gjitha tek e cila jemi koncentruar. Në qershor gjërat nuk na shkuan mirë dhe tash do të mundohemi t’i përmirësojmë gabimet. Tash jemi në një pozitë shumë më të mirë dhe shpresojmë të dalim mirë nga këto dy takime”, përfundoi trajneri i veri-irlandezëve.
Irlanda e Veriut i ka 2 pikë në tabelë pasi i ka arritur dy barazime, ndërsa i ka pësuar edhe dy humbje.