Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, është tallur me kryeministrin Albin Kurti, pas deklaratës së Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se nuk e sheh reciprocitetin si zgjidhje të problemeve.
Gecaj ka shkruar në Facebook se Kurti e ka “shkarkuar” edhe reciprocitetin.
“LAJMI I FUNDIT: Albin Kurti shkarkon reciprocitetin!”, ka shkruar Gecaj.
Ndryshe, që pas rikthimit në pushtet, kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij nuk kishin datë për vënien e reciprocitetit me Serbinë. Për këtë çështje, Kurti njëherë u rrëzua, e u kthye në pushtet me mbi 50% të votave, me zotimin se në raport me Serbinë do ta rikthejë reciprocitetin.
“Është çështje ditësh, javësh dhe kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do ta bëjmë”, kishte thënë Kurti, kur ishte pyetur se kur do t’i kthente masat reciproke me fqinjin verior.
Por dje, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se nuk e sheh reciprocitetin si zgjidhje të problemeve.
“Kosova nuk është e përfaqësuar mirë (në iniciativa rajonale), Kosova shpeshherë ka sfida duke ditur që kemi një shtet fqinj që gjithmonë i pengon nënshkrimi i Republikës së Kosovës. Por ne së bashku, me bashkëpunimin tonë, do të punojmë që të jemi konstruktivë me të gjitha shtetet fqinje pavarësisht brengave që kemi, sidomos me një nga shtetet fqinje që është kryesore. Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe mekanizma të tjera që mund të na ndihmojnë për zhvillim dhe adresim të të gjitha sfidave në aspektin rajonal ”, deklaroi Hajdari.