Isa Mustafa han djathë dhe hedh valle në Rugovë

Pejë | 05 Pri 2017 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Isa Mustafa i është bashkuar “Valles së Rugovës”, së bashku me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar.

Ata kanë festuar përmbylljen e projektit “More Quality Domestic Cheese for the Domestic Market” (Më shumë djathë kualitativ vendor për tregun vendor), të implementuar nga korporata “Rugove” dhe e financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Të shoqëruar dhe nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, e Visar Kelmendi, pronar i kompanisë “Rugove”, ata kanë vizituar ambientet e fabrikës moderne në Drelaj të Rugovës dhe kanë shijuar djathin e freskët.

Me këtë rast, Mustafa e vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë investim në fabrikën e djathit, sikurse dhe atë në fabrikën e prodhimit të ujit “Rugove”.

“Djathë ‘Rugove’ do të jete në të gjitha tryezat tona dhe ato të Bashkimit Evropian”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Kurse Visar Kelmendi, pronar i kompanisë “Rugove”, kërkoi nga kryeministri që të bëjë reforma në politikat fiskale. “Ne nuk po kërkojmë lëmoshë, por vetëm na ndihmoni, se sikur ne ka shumë fabrika në Kosovë”, tha ai.

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Zhbogar, tregoi se ky projekt është përkrahur nga BE-ja përmes skemës së granteve për zhvillim rural në vlerë prej 387 mijë euro, duke krijuar dhjetëra vende të reja pune.

Të ngjashme