(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës në New York, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, për liderët botërorë që ndodhen në Nju Jork, me rastin e zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, Mustafa u prit nga Presidenti Obama dhe Zonja e Parë Michelle Obama, të cilët i falënderoi përzemërsisht për përkrahjen që SHBA-të po japin në vazhdimësi për Kosovën.
Në komunikatën e dërguar nga Kryeministria për aktivitetet e Mustafës në New York, nuk kishte asnjë fotografi me presidentin amerikan.
Por, fotografia është dërguar disa orë pas njoftimit.
(Foto: Official White House Photo by Lawrence Jackson)
Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, gjatë kësaj pritjeje të posaçme u takua me personalitete të shumta të pranishme, si me kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, me Presidentin e Polonisë, të Hungarisë, sekretarin e NATO-së e shumë liderë të tjerë ndërkombëtarë.
Ndërkaq, gjatë ditës, kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar takime me kryeministrin e Luksemburgut, Havier Bettel, të cilin e ka informuar për zhvillimet në Kosovë, duke kërkuar përkrahje për proceset integruese evropiane.
Më pas, në selinë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Mustafa ka takuar Mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II Ibn Al Hussein, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme. Mbreti Abdullah theksoi përkrahjen e mëtejme për Republikën e Kosovës.
Gjatë një takimi që kryeministri Mustafa dhe ministri Hoxhaj zhvilluan me ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Borge Brende, u bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe për përkrahjen e Norvegjisë për rrugën eurointegruese të Kosovës.
Një takim të veçantë, kryeministri Isa Mustafa e zhvilloi me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), Iyad bin Amin Madani, i cili shprehu përkushtimin e tij për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Javës së Filmit Shqiptar, e cila u zhvillua në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork.