Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se situata në veri të vendit është shumë serioze dhe e rrezikshme, duke shtuar se krerët shtetëror do duhej të ishin në Kosovë.
Përmes një statusi në Facebook, ish-shefi i Qeverisë, ka thënë se krerët institucional nuk mund të dërgojnë mesazhe “njëra nga New Yorku, tjetri nga Shkupi e nga Budapesti, kurse Njësitë Speciale të Policisë të Kosovës të mbesin të mbërthyera në Jarinje e Bërnjak nën kërcënimin e helikopterëve, avionëve e tanksave të Serbisë”.
“Situata në veri të Kosovës është tepër serioze dhe e rrezikshme. Në një situatë të tillë , Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë. Nuk mund të dërgojnë mësazhe, njëra nga New Yorku, tjetri nga Shkupi e nga Budapesti, kurse Njësitë Speciale të Policisë të Kosovës të mbesin të mbërthyera në Jarinje e Bërnjak nën kërcënimin e helikopterëve, avionëve e tanksave të Serbisë. Kjo sjellje është joserioze dhe e pafalshme”, ka shkruar Mustafa
Ai u shpreh se në momente të tilla presidentja e vendit duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë dhe të ndërmerren masa duke u koordinuar me ShBA-të, BE-në dhe KFOR-in.
“Në momente të tilla do duhej të thirret Këshilli i Sigurisë nga Presidentja e vendit dhe të ndërmerren masat e nevojshme duke u koordinuar me partnerët tanë, SHBA, BE, KFOR-in dhe institucionet relevante në Kosovë”, ka shkruar ai.