Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë sot vendim për shkarkimin e Lubomir Mariqit nga detyra e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.
Në vend të tij në këtë detyrë është emëruar Mirjana Jetviq, e cila deri më tani ka qenë zëvendësministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Dihet se Mariq, publikisht ishte shprehur kundër anëtarësimit të Kosovës në FIFA; si dhe disa herë kishte marrë pjesë në aktivitete të Qeverisë së Serbisë në Kosovë.
Po, në njoftimin e Qeverisë nuk jepen arsyet e shkarkimit të tij. “Këto vendime janë marrë me propozimin dhe në konsultim me përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.