Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u ka shkruar mesazh deputetëve të tij, ku iu është bërë e qartë se nuk ka tërheqje nga vendimi i Kryesisë për shkarkimin e qeverisë Kurti.
Gazeta Blic ka siguruar mesazhin që Mustafa ua ka dërguar deputetëve të tij, nga të cilët kërkohet të vazhdohen procedurat për rrëzimin e qeverisë.
Mustafa thotë se nuk e ka autorizuar askënd të flas në emër të LDK-së dhe nuk do ta bëjë këtë pa u diskutuar në organet e partisë.
“Vendimi i Kryesisë dhe unë nuk e kam autorizuar askënd sot që të hap negocimin e mocionit. Besoj në ju që e keni nënshkruar të vazhdoni me votimin e mocionit. Asnjë marrëveshje për qeverisjen e ardhshme nuk e bëjmë pa u negociuar në organet e partisë”, thuhet në mesazhin e Mustafës.
Tutje, ai ka thënë se tërheqja e mocionit nuk mund të bëhet edhe nga ana teknike, pasi që shprehet se një gjë të tillë nuk do ta bëjnë deputetët e partive tjera që e kanë nënshkruar.