Ish-ambasadori amerikan në Serbi, William Montgomery, thotë se ai është pesimist kur bëhet fjalë për arritjen e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai beson se është në dyshim nëse forcat ndërkombëtare dhe dallimet e brendshme kosovare-shqiptare do ta bëjnë të mundur këtë.
Sipas ish-diplomatit amerikan në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është personi i vetëm në rajon që ka forcën dhe dëshirën për të arritur një zgjidhje të mirë për këtë problem.
“Presidenti juaj është një lider i fortë, i cili e kupton shumë mirë politikën ndërkombëtare dhe ai është personi i vetëm në rajon që ka forcën dhe dëshirën për të arritur një zgjidhje të mirë për këtë problem.” Çështja është nëse forcat ndërkombëtare dhe ndarjet e brendshme kosovare-shqiptare do të lejojnë ndonjë marrëveshje. “Unë jam pesimist,” i tha Montgomery Tanjugut.
Ai gjithashtu shtoi se ka shumë respekt për të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, të cilin siç tha ai e ka njohur më shumë se 20 vjet.
“Nëse ndonjë i dërguar ka një shans të arrijë një marrëveshje, ai është”, tha Montgomery.
I pyetur se si e sheh rolin e Shteteve të Bashkuara në procesin e arritjes së një zgjidhjeje përfundimtare dhe nëse Shtëpia e Bardhë do të bashkëpunojë me Brukselin, dhe nëse mund të priten disa nisma të pavarura nga Shtëpia e Bardhë, Montgomery tha:
“Falë Zotit, administrata e tanishme amerikane do të pranojë marrëveshjen që Lajçak do të arrijë,” tha ai, duke përmendur se duhet të kihet parasysh se komuniteti i politikës së jashtme amerikane mbështet fuqishëm shqiptarët e Kosovës dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar çfarë do lloj marrëveshje.