Ish- anesteziologu në “Medicus”, Sylejman Dulla ka deklaruar se në këtë klinikë ka pasur raste kur pacientëve u janë hequr veshkat.
Ky dëshmitar, e ka dhënë dëshminë e tij, të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në rastin e kthyer në rigjykim, në të cilin mjeku Lutfi Dërvishi akuzohet për krim të organizuar e trafikim me qenie njerëzore, ndërsa anesteziologu Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.
Sylejman Dulla, ka qenë i akuzuar në këtë rast, por ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit dhe tash është ftuar të dëgjohet si dëshmitar i prokurorisë.
Prokurorja Valeria Beluci, e ka pyetur dëshmitarin, nëse ka pasur raste të heqjes së veshkave në operacionet që i kryente mjekut turk, Jusuf Sonmez, derisa Dulla është përgjigjur se po.
Por, ai ka thënë se jo në të gjitha operacionet që janë kryer në këtë klinikë, pacientëve u janë hequr veshkat.
“Në atë kohë janë kry operacione urologjike, siç mund të jenë tumoret e veshkave, ata e vlerësojnë se a duhet të hiqet veshka kur ka tumor”, ka deklaruar dëshmitari.
Këto përgjigje ai i ka dhënë derisa është ballafaquar nga prokurorja me deklaratën e tij të dhënë në prokurori më 23 qershor të vitit 2009 në prokurori, në të cilën, dëshmitari ka thënë se në në ato operacione ku ka marr pjesë ka pas kryesisht edhe heqje të veshkave.
“Kur ka ardhur pacienti në sallën e operacionit ka ardhur i zgjuar, anesteziologu pastaj e kryen punën e tij. Operacioni për heqjen e veshkave nuk ka orar të caktuar, një orë e gjysmë, dy, tri, varet nga patologjia. Pas operacionit pacienti zgjohet dhe shkon në dhomën e reanimacionit apo ndryshe në kujdesin intenziv”, ka deklaruar Dulla.
Ai ka thënë se gjatë këtyre operacioneve janë mbajtur shënime për gjendjen e pacientëve.
“Gjendja e pacientit, parametrat vital, barnat që administrohen, datat e fillimit dhe përfundimit të operacionit, në princip i shënojmë edhe emrat e kirurgëve, anesteziologëve dhe natyrën e operacionit”, ka shtuar tutje dëshmitari.
Ai ka deklaruar se në “Medicus” ka punuar si ndihmës i anesteziologut, për rreth gjashtë vjet, kontretisht nga viti 2002 e deri sa është mbyllur klinika.
Dulla ka thënë se në këtë klinikë është punësuar nga Sokol Hajdini.
“Në një periudhë nuk kemi pas kontratë, më vonë kemi pas kontrata, por nuk kanë qenë shumë specifike. Detyrat e mia kanë qenë me kontrollu barnat, me kontrollu gjendjen e pacientit. Kur kam punu unë, kam qenë asistent i Dr.Sokolit, kur unë nuk kam punu, ka qenë Islam Bytyqi që ka punu me Dr.Sokolin”, ka deklaruar dëshmitari.
Ai ka thënë se gjatë punës së tij në këtë klinikë, ka qenë i angazhuar edhe në katin përdhese, por edhe në katin e parë, varësisht se si ishte informuar nga mjeku Hajdini.
Dëshmitari ka thënë se kirurgë kanë qenë Dr.Jusufi, Dr.Kenani, Dr.Dritoni, Dr.Lutfiu, Dr. Përvorfi.
“I kam asistu Dr.Sokolit. Kam asistuar në operacionet e Dr.Jusufit, është kohë e gjatë se në sa operacione të tij kam marrë pjesë, më duket 5 ose 6”, ka deklaruar tutje ai.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores se kush ishin mjekët që e kanë asistuar Dr.Jusufin, dëshmitari ka thënë se kanë qenë Dr. Kenani dhe Dr.Dritoni. “Kur unë kam qenë nuk e mbaj mend se Dr.Lutfi Dërvishi ka qenë në atë ekip”, ka shtuar ai.
Në seancën e së mërkurës, ka qenë i paraparë që ta jep dëshminë e tij edhe dëshmitari Faton Haziri, por prokuroria dhe mbrojtja janë pajtuar që deklarata e tij e dhënë më herët në shqyrtimin gjyqësor, më 18 tetor 2011, të konsiderohet e lexuar.
Gjykimi maratonik i rastit “Medicus”
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 tetor 2010 kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj. Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010, dhe janë konfirmuar me 27 prill 2011.
Shqyrtimi kryesor për këtë rast filloi më 4 tetor 2011. Ndërkaq, më 22 mars dhe 17 prill 2013, u bë ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës në fjalë.
Pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013 shpalli verdiktin final për këtë rast. Sipas aktgjykimit Lutfi Dervishi u dënua me 8 vjet burg e 10 mijë euro për veprat penale të “trafikimit me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq u refuzuan akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të njëjtit i’u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë. Ndërkaq i njëjti u lirua nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.
Me këtë aktgjykim, Sokol Hajdini u lirua nga akuza për “krim të organizuar”, por u dënua për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti. Kurse, akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, u refuzuan.
Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla u shpallën fajtorë për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe u dënuan me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre u refuzua akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.
Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj u shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” u refuzua. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.
Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore urdhëroi mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.
Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, më 6 nëntor 2015 ka shpallur aktgjykim, sipas të cilit vërtetohen dënimet e të pandehurve dhe lirohet objekti i klinikës “Medicus” me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përveç që dërgohen në burg tre të akuzuarit kryesor të këtij rasti, për dy prej tyre ka rritje të dënimit deri në dy vjet.
Arban Dervishi nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, dënohet me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, dënohet me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor edhe për “krim të organizuar”.
Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, u shpallën të pafajshëm nga shkalla e dytë.
Ky aktgjykim u ishte dërguar të gjitha palëve ndërmjet 25 shkurtit dhe 4 marsit 2015.
Më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kërkoi nga Gjykata Supreme të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti.
Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kanë parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme ka hedhur ankesën e Lutfi Dervishit si të palejuar.
Ndërkaq, me 20 shtator, kjo gjykatë mori aktgjykim lidhur me ankesat e parashtruara nga Sokol Hajdini dhe avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit Hajdini lirohet nga akuza e “krimit të organizuar”. Ndërkaq, iu vërtetua dënimi sa i përket veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, dhe kohëzgjatja e burgimit u ndryshua në tre vjet.
Kundër këtij aktgjykimi, më 2 nëntor 2016 dhe 30 nëntor 2016, Sokol Hajdini dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë paraqitur kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Sa i përket këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë gjithashtu kishte lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për Lutfi dhe Arban Dervishin, pas arratisjes së tyre nga ekzekutimi i dënimit, pas vërtetimit të formës së prerë të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit.
Ndryshe, emri i kësaj klinike kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.