Ish-anëtari i bordit të KEK-ut: Shpenzimi i rrymës në veri është llogaritur si humbje, s’u faturua asnjëherë

Prishtinë | 26 Tet 2022 | 15:53 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike e ka intervistuar Edmond Nulleshi, ish-anëtar i bordit të KEK-ut në periudhën 2006-2008, raporton Ekonomia Online.

Nulleshi, i cili në fillim u betua se do ta thotë vetëm të vërtetën, tha se rryma e shpenzuar në pjesën veriore të vendit nuk është faturuar asnjëherë dhe është llogaritur si humbje.

Në këtë kohë ai tha se humbjet kanë qenë mbi 50%, ndërsa sqaroi se në bord kanë qenë të përfshirë edhe ndërkombëtarët që kanë pasur rol në vendimmarrje.

“Pjesa e veriut asnjëherë nuk është faturuar dhe është përfshirë në vjedhje. Gjithmonë ka pasur probleme për përcaktimin e vjedhësve, mbi 50% kanë qenë humbje”.

“Në atë kohë bordi është përbërë nga ndërkombëtarë dhe vendorë. Për konsumatorë, në atë kohë, ZRrE-ja ka qenë e formuar dhe pati aprovuar tarifat e konsumatorëve dhe pati vendosur metodologjinë e çmimeve ku përfshihen humbjet e energjisë që në atë kohë ka qenë mbi 50% humbje që përndryshe janë vjedhje. Në atë kohë ishte përfshirë edhe konsumi në veri”.

“Menaxhmenti i KEK kishte lëshuar faturë për konsumatorë në veri ku vlera ka qenë 80 milionë euro. KEK-u ka pasur përgjegjësi për prodhimin e qymyrit, energjisë dhe inkasim. Rolin e aksionarit e ka luajtur AKM-ja. Përcaktimin e anëtarëve të bordit e ka caktuar AKM sepse ka qenë edhe aksionar”.

Ai foli edhe për punën e tij si anëtar i bordit në KEK. Për ndarjen e banesave të KEK-ut pas luftës, ai tha se disa kanë qenë në posedim, por një pjesë jo.

“Sa kam qenë anëtar i bordit menaxhmenti ishte kontraktuar nga ndërkombëtar dhe kishin përgatitur plan ku përfshiheshin një gamë e projekteve 800 milionë euro. 90 euro është e paimagjinueshme çmimi i energjisë në atë kohë. Janë 70 euro maksimum megavati. Në atë kohë tarifa për Feronikelin nuk ishte e përcaktuar.  Në atë kohë parashihej të ndërtohej një termocentral. Ishte përgatitur plani në fshatin Hade”.

Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, e pyeti atë për ndalimin e punës së Bllokut A1, që është funksionalizuar.

“Në kohën që keni qenë anëtar i bordit Blloku A1 është ndalur dhe nuk është funksionalizuar? A mendoni që është bërë mirë që është shthuru KEK?”.

Deputeti i VV-së, Armend Muja, tha se në atë periudhë importi i energjisë ka qenë shumë i madh dhe se shumica nuk është shfrytëzuar për nevoja të konsumatorëve, por nevoja të tjera.

“Kosovës iu është dashtë me importuar 20 milionë euro. Kosova ka importuar energji jo për konsumatorët. Rryma është blerë për 110 euro për megavat në atë kohë?”.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e pyeti Nulleshin se kush e kishte deleguar atë si anëtar i Bordit.

“Nga kush keni qenë i deleguar si anëtar i bordit? Pjesa e vlerës së aseteve pse ka ardhur deri te një shumë tjetër? Sa i përket buxhetit për import, qysh është menaxhuar nga ndërkombëtarët?”.

Të ngjashme