Kuvendi Komunal i Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka votuar për ridestinimin e objektit të ish bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, me ç’rast ky objekt do të kthehet në Muze/Galeri/Qendër Edukative-Arsimore.
Në Qendrën që do të quhet “Ibrahim Kodra”, do të ekspozohen veprat e këtij autori të madh shqiptar, dhe do të ketë mundësi të zhvillohen edhe aktivitete tjera arsimore bashkë me fondacionin e lënë nga ai.
Po ashtu, asambleistët i votuan edhe anëtarët e komisioneve aksionare për dy ndërmarrje publike, e ata janë: Hetem Kupina në ndërmarrjen “Trafiku Urban” dhe Egzona Podvorica në ndërmarrjen “Pastrimi”.
Ndër të tjera asambleistët e votuan plotësimin e rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, propozimvendimin për hartimin e planit të hollësishëm rregullues të bllokut A 1 të lagjes Dodona, rregulloren mbi taksën administrative për dhënien e lejes së ndërtimit dhe tarifën për rregullimin e infrastrukturës, si dhe propozimvendimin për fillimin e hartimit të Planit rregullues të hollësishëm për tërësinë urbane “B” të lagjes “Prishtina e Re-Zona Lindje”.