Ish-deputeti i LDK-së i ashpër me Osmanin dhe VV-në: Duan natën ta ndërrojnë Kushtetutën

Prishtinë | 07 Mar 2026 | 13:39 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, e ka kritikuar ashpër presidenten Vjosa Osmani për procedimin në Kuvend të amendamenteve për ndryshim e Kushtetutës sa i përket zgjedhjes së presidentit.

Ai ka bërë me dije se Osmani me përkrahjen e VV-së tentoi ndryshimin e Kushtetutës pa debat publik dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

Sipas tij, këto veprime ishin të turpshme dhe demoluese për republikën.

“Kur në krye të shtetit janë njerëz jo serioz dhe pa fije integriteti, atëherë fyhet shteti dhe qytetarët me aventura politike të modelit aksham pazari. Ajo, që edhe pak orë do jetë në krye të vendit, tek tash u kujtua pas 14 vitesh t’i procedoj në Kuvend ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Pa debat politik, pa debat të gjërë shoqëror, pa respektuar Rregulloren e Kuvendit dhe praktikat parlamentare, Vjosa Osmani dhe Lëvizja Vetëvendosje, po duan natën ta ndrrojnë Kushtetutën dhe me këtë ta ndrrojn mënyrën e zgjedhjes së presidentit të vendit”, ka shkruar ai, duke shtuar

“Çka me i thënë kësaj pune, pos TURP dhe demolim i Republikës. Taktikat politike të Albin Kurtit, tashmë janë lehtë të lexueshme. Ai nuk do që Kosova të keté president. Ai do që detyrën e Presidentit ta ushtroj Albulena Haxhiu, në mënyrë që të krijohet mundësia ideale për kapjen e disa institucioneve të pavarura, që deri tani i kanë shpëtuar kapjes. Ai gjithashtu do që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që ai të qeverisë papërgjegjshëm dhe pa llogaridhënie institucionale!”, ka shkruar ai.

Të ngjashme