Kryesues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi, që mandatin e kaluar ishte deputet nga radhët e LDK-së, i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.
Këtë e ka konfirmuar vetë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti përmes një njoftimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.
“Me prof. Bulliqin në vetëvendosje dhe me Lëvizjen në qeverisjen e ardhshme, kufijtë e shtetit tonë do të jenë të paprekshëm”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Ky është njoftimi i plotë:
Shpejtimi i Lëvizjes
Me Avni Deharin dhe Gani Krasniqin, me Martin Berishajn e Glauk Konjufcën, me Hysamedin Ferajn dhe Elvis Hoxhën, me Liburn Aliun dhe Enver Dugollin, ia uruam mirëseardhjen në VETËVENDOSJE!
Prof.Shpejtim Bulliqit. Ishim në Tuz të Malit të Zi, në Logun e Tërgajës te lumi Cem, ku po mbahej festivali tradicional me pjesëmarrjen e mijëra malësorëve vendas e mërgimtarë. Një natë më herët ishim te Prof. Martin Berishaj në darkën e Zojes së Grudës.
Shpejtim Bulliqi është Kryesues i Komisionit Shtetëror për Shenjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, profesor në FShMN të UP, Departamenti i Gjeografisë, si dhe ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e pestë.
Shpejtim Bulliqi së bashku me profesorët Zejnullah Gruda e Florim Isufi ishin në krye të argumentimit shkencor për kundërshtimin e demarkacionit Thaçi-Meha që Republikës sonë ia cënoi territorin.
Me Prof. Bulliqin në VETËVENDOSJE! dhe me Lëvizjen në qeverisjen e ardhshme, kufijtë e shtetit tonë do të jenë të paprekshëm.