Veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit nuk prodhuan asgjë pos ndëshkime nga partnerët ndërkombëtarë, vlerëson ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, në një bisedë për Ekonomia Online.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti me veprimet atje, ka bërë kalkulime politike dhe në dëm të Kosovës.
Për këtë të fundit, Kasolli vlerëson se kanë mundur të evitoheshin po qese do të dëgjoheshin rekomandimet e ndërkombëtarëve.
“Praktikisht kjo marrëveshje na kthen në një pikën fillestare por se vetëm pas një tensioni që u kriju dhe pas një ndëshkimi që mori Kosova nga aleatët ndërkombëtarë. Marrëveshja si e tillë nuk paraqet ndonjë përparim, madje paraqet kthim mbrapa sepse nëse shikohen me vëmendje, fillimisht SHBA-ja i rekomandonte Qeverisë së Kosovës dhe nuk e kontestonin të drejtën e kryetarëve të komunave që ta përfundojnë deri në fund mandatin por që kjo punë të bëhej pa tensione politike dhe pa forca speciale. Ndërkohë kemi kthim mbrapa sepse Qeveria pajtohet që të shpallen zgjedhjet e reja, nuk specifikohet se si do të shpallen këto zgjedhje”, tha ai.
Kasolli ka përmendur pohimet e Kurtit për shtrirje të sovranitetit, ndonëse më vonë tërhiqej. Duke filluar nga vendimi për targa e deri tek ky i kryetarëve, Kasolli i vlerëson veprime populiste.
“Praktikisht përfitimet e Kosovës nuk janë të dukshme, Kosova për më tepër është ndëshkuar, ka fituar kritikën dhe masat ndëshkuese të bashkësisë ndërkombëtare dhe të ShBA-së, pra është e njëjta strategji që është ndjekur duke filluar prej targave kur kryeministri Kurti në vazhdimësi pohonte se nuk do të bënte kompromise, se do ta qoj deri në fund agjendën e tij për shtrirjen e sovranitetit dhe në momentet e fundit, tërhiqej duke e bërë atë që do duhej ta bënte në fillim pa krijuar tensione. Siç duket është interes dhe kalkulim politik i Kurtit që të krijojë më tepër përfitime dhe entuziazëm popullor nëpërmjet këtyre krizave që në vazhdimësi i prodhon, sepse po arrin aty ku do të arrihej edhe pa këto tensione politike”, u shpreh Kasolli.