Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka shpresuar në implementim pa vonesa të vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën.
Bosch, përmes një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, ka thënë se nuk ka arsye objektive për vonesë të mëtutjeshme të vizave.
“Le të shpresojmë që nuk do të ketë më arsye dhe do të implementohet sa më shpejt dhe nuk duhet të presin edhe një herë pa ndonjë arsye objektive”, ka shkruar Bosch
Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ranë dakord sot për mandatin negociues të Këshillit për një rregullore për udhëtimin pa viza për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Në bazë të këtij mandati, presidenca do të nisë negociatat me Parlamentin Evropian.
“Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit pa viza për Kosovën dhe tani shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian shpejt për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur nga përpjekjet e Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, menaxhimin e migracionit dhe sigurinë, dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm do të forcohet në të ardhmen”, tha Jan Lipavský, Ministri i Punëve të Jashtme Çeke, në një deklaratë të publikuar. në faqen e internetit të Këshillit të BE-së.