Ish-drejtori lirohet nga akuza për “përvetësim në detyrë”

Ferizaj | 13 Dhj 2017 | 20:09 | Nga

Ish-drejtori i shkollës së mesme të ekonomisë “Faik Konica” në Ferizaj, Aziz Rexhepi, i akuzuar për veprën penale “përvetësimi në detyrë” është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Ferizajt.

Kryetari i trupit gjykues Sahit Krasniqi, tha se nuk kanë arritur të sigurojnë prova se Rexhepi e ka kryer veprën për të cilën akuzohej.

“Të gjitha provat të cilat i kemi grumbulluar duke i analizuar një nga një dhe duke i ndërlidhur reciprokisht njëra me tjetrën nuk kemi arritur që të vërtetojmë se i akuzuari Aziz ka kry vepër penale përvetësimi në detyrë nga neni 425 paragrafi dy siç ngarkohet me akuzë”, tha Krasniqi.

Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Ferizajt reagoi avokatja e Naser Muhaxherit. Labinota Qosa-Ilazi tha se do të ankohet ndaj këtij vendimi.

“Nuk është në përputhje me provat të cilat janë administru gjatë kësaj procedure, jemi në këtë procedurë më pak se dy vite dhe unë si avokate e palës së dëmtuar mendoj që para gjykatës, prokurorisë, por edhe ne si përfaqësues të palës së dëmtuar kemi argumentu në mënyrë të pakontestueshme se i akuzuari, tani më i liruar, me aktgjykim e ka kry veprën që i vihet në barrë, fatkeqësisht si përfaqësuese e palës së dëmtuar, kodi i procedurës penale na kufizon në paraqitjen e ankesave, janë tri kategori ku ne mund të paraqesim ankesë, por mendoj që prokuroria nuk do të pajtohet me vendimin e gjykatës dhe do ta paraqes një ankesë të fortë, ashtu siç e kam mbrojtur akuzën deri në fund të këtij shqyrtimi duke shpresu që ky aktgjykim nuk do të qëndroj”, tha Qosa, raporton TV Tema.

Aziz Rexhepi akuzohej se duke qenë drejtor i shkollës së mesme ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj, në shtator të vitit 201, ka përvetësuar shumën e të hollave në vlerë prej 10,370 euro, shumë kjo e cila i është besuar të njëjtit, për shkak të pozitës së tij. Rexhepi pretendohej se veprën penale e ka kryer në atë mënyrë që pasi Këshilli Organizativ i shkollës kishin grumbulluar paratë nga nxënësit në vlerë prej 28,800 euro, të njëjtat ia kishin dorëzuar atij me qëllim që këto para pastaj t’i dorëzoheshin përfaqësuesit të NTP “Bardhi”, i cili kishte fituar tenderin për transportin e nxënësve për ekskursionin në Republikën e Shqipërisë.
Sipas marrëveshjes, përfaqësuesi i NTP “Bardhi”, ka qenë i autorizuar që të kryej pagesën e qëndrimit të nxënësve në hotel, transportin si dhe vizitat në qytete. Në bazë të aktakuzës, Rexhepi kishte bërë pagesën e hotelit kinse në vlerë prej 23,220 euro pa autorizim dhe pa prezencën e të dëmtuarit, kurse pagesa e hotelit është dashur të bëhet në vlerë prej 13,360 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme