Ish-drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale mohon që Komuna e Prizrenit është dëmtuar nga veprimet e komisionit

Prishtinë | 28 Gus 2023 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, ish- drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Prizren, Fejzë Kabashi, i akuzuar për korrupsion, ka dhënë mbrojtjen e tij sa i përket ndryshimit të aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, ku Komuna e Prizrenit është futur si palë e dëmtuar. Ai ka mohuar se komuna është dëmtuar nga veprimet e komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale.

Në këtë rast, të akuzuarit Levent Kasëmi, ish- drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashi, ish- drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqiri, ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit, Ganimete Babuna, ish-asambliste e Kuvendit Komunal të Prizrenit, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, në cilësi të anëtarëve të komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, po akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme kanë përzgjedhur Fatmire Berishën si përfituese të ankandit publik për lokalin në sheshin “Shatërvan” , raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ne si komision kemi qenë të themeluar nga vetë komuna dhe për mbrojtjen e interesit të komunës, e cila në fund të procesit të përzgjedhjes e që bëhet fjalë për këtë ankand, na ka përkrahë dhe vetë menaxheri kryesor i komunës, e që është kryetari i Komunës. E ka pranuar këtë përzgjedhje të këtij ankandi dhe nuk ka pas asnjë kundërshtim dhe bashkërisht me organet e tij, siç është zyra e pronave ka bërë kontrata me përfituesit e këtyre lokaleve. Pra, përkundrazi komuna ka fituar, nuk ka humb asgjë. Ata janë kanë organet që kanë mundur me hudhë poshtë këtë proces” ka thënë Kabashi.

Kabashi tha se qëndron në tërësi pranë deklaratave të 21 tetorit dhe 31 dhjetorit 2022, të dhëna pranë kësaj gjykate.

I njëjti deklaroi se përfituesi i ankandit është bërë sipas kritereve të cilat janë shpallur në ankand dhe se në këtë rast përfituese ka qenë një grua, e cila ka lidhur kontratë me Komunën e Prizrenit.

Paraprakisht, mbrojtjen e tij e ka dhënë edhe i akuzuari Kasëmi, i cili deklaroi se qëndron në tërësi pranë deklaratave të dhëna më 22 gusht dhe 28 tetor 2022.

Ai ka mohuar se në këtë rast është e dëmtuar Komuna e Prizrenit dhe Albert Doqi, siç pretendon Prokuroria.

“Nuk e konsideroj as komunën as palën e dëmtuar që është këtu, Albert Doqi, për arsye se kjo ka qenë një garë dhe në garë një fitues dhe një humbës”, ka thënë i akuzuari Kasëmi.

Tutje, Kasëmi deklaroi se komisioni këtë rast e ka cilësuar si rast specifik, për arsye se shumica e lokaleve që jepen me qira që janë në zonën historike të Prizrenit menaxhohen me ligj të veçantë, me të cilin ndalohen disa veprimtari të bizneseve dhe se për këtë tha se kanë vendosur kritere të tjera të cilat janë lejuar me ligj.

Po ashtu, Kasëmi tha se prej 40 rasteve për të cilat janë dhënë lokale me qira, ka pasur shumë raste të tjera që kanë ofruar çmim më të lartë, por kriteret e tjera nuk i kanë plotësuar.

Më pas, gjykatësja e rastit, Teuta Krusha seancën e sotme e ka ndërprerë për shkak që kishte të caktuar një seancë tjetër. Ajo tha se seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 29 gusht 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Siç thuhet në aktakuzë, duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte kuptuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi/

Të ngjashme