Ish-drejtori i Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë, Besnik Dërmaku, ka mohuar se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, me rastin e disa tenderëve që janë realizuar në kohën sa ai udhëhiqte me këtë dikaster qeveritar.
Dërmaku, në seancën e së hënës, ka paraqitur mbrojtjen e tij para trupit gjykues, në rastin ku ai dhe ku ish-zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë (MD) Hidajete Sadiku dhe Naim Krasniqi, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe Kushtrim Muqollit, Shkëlqim Osmani dhe Agim Beqiraj, për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Dërmaku, është deklaruar fillimisht sa i përket pikës së parë të akuzës, e ku akuzohet se me qëllim të shkaktimit të dëmit për buxhetin e MD-së dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për operatorin ekonomik “ALBUS”, që lidhen me tenderin për furnizimin me tonerë.
“Së pari Departamenti i IT-së në MD formulon listën e llojeve të tonerëve dhe ka pasur për detyrë t’i përfshij të gjitha llojet e tonerëve që ka pas MD për printerë, sepse në atë kohë edhe prokuroria ka qenë në kuadër të MD-së, do të thotë kanë qenë burgjet, shërbimi korrektues, mjekësia ligjore, shërbimi sprovues, njësia kërkuese kanë qenë të gjitha këto. Pasi që IT e përpilon listën, hapi i dytë është që lista shkon te sekretari i MD, për tu aprovuar, më pas shkon në Departament të Financave për tu zotuar mjetet sepse sipas Ligjit të Prokurimit në atë kohë pa u zotuar mjetet nuk kemi mundur të shpallim tenderin. Pasi janë kryer të gjitha këto hapa, vjen e aprovuar në Departamentin e Prokurimit, pasi e kontrollon departamenti a është lista e aprovuar, a është kërkesa prej njësive kërkuese, a janë zotuar mjetet, atëherë fillon zhvillimi i procedurës së prokurimit”, deklaroi ai.
I akuzuari Dërmaku, deklaroi se është konsultuar me drejtorin e Departamentit të IT-së, për ndarjen e tonerëve që ekzistojnë printerët në terren. Sipas tij, ai i kishte thënë se mund t’i ndajnë nëpër institucionet e lartcekura, por duhet të përpilohet lista se çfarë lloj printerësh ka nëpër terren.
Ai, deklaroi se është bërë lista dhe ia ka dhënë të akuzuarës Hidajete Sadiku, për ta shpërndarë dhe sipas tij, pasi është shpërndarë në çmimore nuk ka qenë e përfshirë toneri me numër P1005/1006 CB436, e më pas është thelluar problemi, sepse sipas tij, është aluduar se ky toner nuk ekziston fare në treg dhe nuk ekziston toner për këtë printer fare.
“Pas shpërndarjes së kësaj liste, pasi jam suspenduar nga puna në vitin 2010, në lokalet e Ministrisë së Drejtësisë thonë se e kanë shti në listë tonerin 11.50 për të dal më i lirë kompania fituese e tenderit. Kërkesa për llojet e tonerëve ka ardhur nga departamenti i IT-së, njësia kërkuese. Ky lloj toneri ka qenë edhe para se të shkoj unë si drejtor i prokurimit në MD. Pasi e kam dhënë urdhrin ta shpërndaj këtë listë, në fund të e-mail është e shkruar nëse nuk është e përfshirë ndonjë lloj i tonerit ju lutemi të na njoftoni me kohë në mënyrë që të bëjmë zgjidhje edhe pse jemi munduar të përfshijmë të gjitha llojet e tonerëve sipas kërkesave tuaja”, deklaroi ai.
Ai shtoi se e ka marr parallogarinë e kompanisë që ka qenë e dyta, nuk e ka futur këtë lloj toneri fare dhe prapë se prapë sipas tij, kjo kompani ka dal më e shtrenjtë se ajo që e ka fituar tenderin vetëm për një llot.
“Jam konsultuar me drejtorin e Departamentit të IT-së të MD lidhur me listën e tonerëve sepse kemi pasur dhjetëra raste që i kemi dorëzuar tonerët, i kanë hapur i kemi provuar dhe nuk kanë bërë në printer, dhe kësisoj ka pasur dëme dhe për këtë qëllim jam konsultuar me IT”, vazhdoi duke deklaruar ai.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij Florent Latifaj, ai u deklarua edhe për pikën e dytë të aktit akuzues, ku akuzohet se me qëllim të shkaktimit të dëmit për buxhetin e MD-së dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për operatorin ekonomik “PCB-KOSOVA”.
“Edhe këtu ka ardh teknik specifikacioni për kompjuterë, ka ardh kërkesa nga Departamenti i IT-së, ka shku në zyrë të sekretarit është aprovuar, ka ardh në departament të prokurimit për zhvillimin e procedurave të prokurimit. Në herë të parë vlerësohet, ndërkohë ankohet një kompani “Botek” në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), me ankesë se gjoja nuk është shpall në web-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) edhe pse nuk ka qenë pjesëmarrës në tender kur është anuluar tenderi. Sipas ligjit 2003/17 që ka qenë në fuqi në atë kohë ceket së paku në dy gazeta ditore të shpallet tenderi dhe KRPP në atë kohë ka qenë duke e zhvilluar webfaqen e vet për shpallje e publikime. Kompania “BOTEK” bën ankesë, ku nën pikën 1 thotë se ri tenderin nuk e ka shpall në webfaqe, a në dy gazeta ditore ka qenë e publikuar, ka fakte. Në webfaqe e kemi dërguar ri tenderimin dhe anulimin në të njëjtën kohë. Kurse, anulimi i tenderit në KRPP shpallet, kurse ritenderimi jo për shkak se rrjeti ka qenë i dobët për shkak se vetëm sa patën filluar KRPP për t’i publikuar. Çdo ankesë e kompanive në OSHP, sipas ligjit të prokurimit 2003/17 për çdo shqyrtim të ankesës duhet të bëhet komisioni prej 3 apo 5 anëtarësh, për këtë vendim të anulimit në OSHP ka qenë i përbërë vetëm nga një anëtar. Në atë seancë nuk ka qenë prezent asnjë nga Ministria e Drejtësisë për ta mbrojtur mendimin e vet, i vetmi anëtar në atë komision ka qenë tani i ndjeri Baki Krasniqi”, deklaroi ai.
Ai deklaroi se e ka bërë nënshkrimin e kontratës ende pa kaluar afati tre ditor i ankesave, pasi ia ka lejuar Ligji i Prokurimit, në ato raste kur janë të bindur se nuk ka fakte askush për tu ankuar. Në këtë rast, sipas tij, ka ardhur kompania që nuk ka konkurruar në tender dhe është ankuar.
“Fundi i vitit ka dallim në prokurim për shkak se në muajin dhjetor mbyllet buxheti deri në mars të vitit të ardhshëm dhe për këtë arsye kemi pasur kërkesa për furnizim nga njësite kërkuese”, deklaroi ai.
“Në pikën 3 akuzohesh se gjatë përgatitjes të tenderit për ndërtimin e objektit për dëshmitar të mbrojtur në Dubravë ku kryetar i komisioni për vlerësim ke qenë ti dhe të njëjtën kohë edhe drejtor i zyrës së prokurimit në MD, ku fitues ishte shpallur ”LESNA” për shkak se kishte ofruar planin dinamik në kohë më të shkurtë dhe sipas aktakuzës kishte vonuar mbi 105 ditë pune dhe për këto vonesa nuk ishte penalizuar kompania “LESNA” për 105 ditë por vetëm 26 ditë pune vonesë dhe për këtë për shkak të ditarit të Agim Beqiraj dhe Shkëlqim Osmanit. A po na tregon për rolin tënd në shqiptimin e këtyre penaltive dhe llogarisë të ditëve të vonesës?”, ishte pyetja e avokatit Latifaj sa i përket pikës së tretë të aktit akuzues.
Ai tha se kompania “LESNA” ka pasur për të përfunduar punën për 180 ditë pune.
“Unë jam suspenduar në korrik të vitit 2010 nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa pagesa e fundit është bërë në dhjetor 2010 për tu llogarit penaltitë. Llogaritë për vonesat të kompanive bëhen në pjesën e fundit të pagesës. Pagesa e fundit bëhet pasi të pranohet objekti teknikisht, në atë kohë bëhet edhe llogaritja e vonesave në përfundimin e punimeve. Unë aty nuk kam qenë fare.”, ishte përgjigja e Dërmakut.
Ai deklaroi njëjtë edhe për pikën e katërt të akuzës sa i përket mos-shqiptimit të penaltive ndaj kompanisë “Getoari&Dreni”.
“Edhe ky rast është identik sikurse rasti i ndërtimit të objektit për dëshmitar të mbrojtur në Dubravë. Unë jam suspenduar më 28 korrik 2010 nga MD, kurse për këtë kompani pagesa e fundit për punimet e kryera është bërë në dhjetor të vitit 2010”, ka thënë ai.
Ai u deklaruar edhe sa i përket pikës së pestë të aktit akuzues, ku akuzohet se me qëllim të shkaktimit të dëmit për buxhetin e MD-së dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për operatorin ekonomik “Auto Kaqandolli”, lidhur me furnizimin me vetura për Ministrinë e Drejtësisë.
“Kjo janë me kërkesë nga Prokuroria e Shtetit për furnizim me auto vetura. Kërkesa ka qenë për 20 vetura. Tekniku i spefikacionit vjen nga departamenti i transportit të MD-së. U shpall tenderi, është bërë vlerësimi nga i tenderit nga komisioni, është shpall fituesi “Auto Kaqandolli”. Vijnë veturat sipas kërkesës tonë me 5 vjet mirëmbajtje nga ana e tyre. Del komisioni për pranimin e tyre, por një anëtar thotë se nuk janë veturat me kubikazh 1.4 si është kërkuar dhe për këtë arsye nuk pranohen veturat dhe japin urdhër kompanisë të tërhiqen nga lokacioni i Ministrisë të Drejtësisë. Unë mora vendim dhe kërkova te Sekretari i Përhershëm i MD-së që të anulojë kontratën dhe ta rishpall tenderin”, deklaroi ai.
Sipas të akuzuarit Dërmaku, nuk i ishte aprovuar kërkesa për anulim, por pasi ishte suspenduar, ministria kishte bërë anulimin e kontratës.
Ai deklaroi se ministria kishte kërkuar edhe ekspertizën për vetura për të shikuar se për veturat mbi 1.5 kubik a hyjnë në ‘kubikazhën 1.4’, ku ekspertiza kishte thënë se hyjnë.
Kjo seancë është ndërprerë dhe Dërmaku pritet të vazhdojë paraqitjen e mbrojtjes së tij më 6 korrik, me fillim nga ora 9:00.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë kundër të pandehurve, Besnik Dërmaku, Hidajete Sadiku dhe Naim Krasniqi, pasi ekziston dyshimi i bazuar se prej 22 nëntorit 2008 e deri më 31 dhjetor 2010, duke vepruar si zyrtarë në MD, me qëllim të shkaktimit të dëmit për buxhetin e kësaj ministrie, kanë favorizuar në tenderë të ndryshëm operatorët ekonomikë: “Albus”, “PBC-Kosova”, “Lesna”, “Getoari dhe “Dreni Inginiering” dhe “Auto Kaqandolli”.
Sipas prokurorisë, ata kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit të MD-së, në shumë prej 10.080 euro.
Përveç këtyre ish-zyrtarëve, të pandehur janë edhe Kushtrim Muqolli, Shkëlqim Osmani dhe Agim Beqiraj, të cilët akuzohen për “keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”.
Sipas pretendimeve të prokurorisë, i pandehuri Muqolli, si përfaqësues i operatorit ekonomik “Albus”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për operatorin ekonomik “Albus”, me rastin e aplikimit për tender për furnizim me toner për MD-në, i njëjti ka prezantuar ofertë të rreme, duke plotësuar rubrikat e aplikacionit dhe specifikacionet e tonerëve, për të cilët ministria nuk i ka përfshirë në listë fare.
Ndaj të pandehurit Shkëlqim Osmani, ekspert në kuadër të kompanisë, “Vizion Projekt”, si kompani mbikëqyrëse e punëve të kryera nga ana e kompanisë “Lesna”, gjatë ndërtimit të objektit të destinuar për dëshmitarë të mbrojtur në Dubravë, me qëllim të realizimit të përfitimit të kundërligjshëm për organizatën “Vizion Projekt”, dhe kompaninë “Lesna”, ka raportuar se punët janë kryer sipas planit dinamik të caktuar nga MD-ja.
Kurse, sipas gjendjes faktike deri atëherë ishin kryer vetëm gjysma e punëve dhe në bazë të këtij raporti, ministria ia kishte paguar operatorit ekonomik “Lesna” shumën prej 1.492.975 euro.Sipas aktakuzës, Osmani i ka shkaktuar dëm MD-së, duke i mundësuar kompanisë “Lesna” që mos të penalizohet për vonesat gjatë kryerjes së punëve.
Ndërsa, i pandehuri Agim Beqiraj, inxhinier i kompanisë “Lesna”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për të njëjtën kompani, i kishte shkaktuar dëm MD-së në shumën prej 22.863.56 euro.