Edhe pse fotografitë mund të vlejnë sa një mijë fjalë, në kohën e “Instagramit” shpeshherë kontrasti ndërmjet imazhit të pasqyruar dhe disa fjalëve që e shoqërojnë atë mund të rrëfejë historinë e vërtetë.
Pete Souza, ish-fotograf në Shtëpinë e Bardhë, e ka mësuar krejt këtë shumë mirë, gjatë tetë vjetëve të tij të punës nën presidencën e Barack Obamas.
Njeriu që e shoqëroi Obaman nëpër botë dhe pati qasje të paparë në presidentin e 44-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – që pretendon që ai ka munguar vetëm një ditë në punë për shkak se ishte i sëmurë – është bërë mjeshtër në kombinimin e imazhit me tekst.
Qysh më 20 janar të vitit 2017, Souza mbylli llogarinë e tij zyrtare në “Instagram”, që dokumentonte jetën me presidentin dhe hapi një llogari nën emrin e tij, për t’i publikuar imazhet arkivore nga koha e tij me Obaman. Bashkë me përzgjedhjen e imazheve shkruante fjali a fraza të shkurtra që jepnin të dhëna për ngjarjet politike nën presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.