Ish-futbollisti i Bayernit, emri i suksesit të Vissel Kobe

Prishtinë | 28 Mar 2020 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Ish-mesfushori i Bayern Munchenit, Thorsten Fink, ka fituar gjithçka si lojtar dhe tani është trajner i Andres Iniestas në skuadrën nga Japonia, Vissel Kobe. Të fitosh nuk është një koncept i panjohur apo i huaj për Thorsten Finkun.

52-vjeçari fitoi katër tituj të Bundesligës, tri Kupa të Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve të vitit 2001 derisa ishte pjesë e Bayern Munchenit, përpara se të fillonte një karrierë të trajnerit që e solli atë përfundimisht te skuadra japoneze Vissel Kobe, transmeton KOHA.

Me gjithë kaosin e zhvendosjes nga një vend në tjetrin, në një kontinent tjetër dhe duke punuar në një gjuhë tjetër që nuk është e tij, Finku e shfrytëzoi mundësinë për t’u bërë trajneri i tretë brenda dy muajsh në vitin 2019, kur pranoi të bëhej trajner i Vissel Kobes, që në Japoni njihet si ekipi i “lopëve”, përcjell DW.

Ekipi ka jetuar me këtë pseudonim deri në kohën kur erdhi Finku; vetëm duke qëndruar dhe pritur ‘therjen’. Për ta ndryshuar këtë, Finku duhej të merrte lojtarë që ishin mësuar të fitonin trofe, përfshirë emra si Lukas Podolski, David Villa, Andres Iniesta e Thomas Vermaelen dhe t’i bënte ata të përqendroheshin në synimin e madh.

“Në Japoni ka respekt më të madh nga njerëzit, pastërti më të madhe. Kjo më ka bërë të ndihem mirë, në të kundërtën nuk do ta lija familjen time në Gjermani për të punuar në këtë vend”, u shpreh Finku, i cili me Vissel Koben ka fituar dy trofe deri më tash.

Triumfi në kupën e parë

Një përpjekje e minutave të fundit e shpëtoi skuadrën Vissel Kobe të sigurojë mbijetesën dhe të përfundojë në mesin e tabelës, derisa taktikat e Finkut bënë që ekipi të arrijë deri në finale të Kupës së Perandorit, gara e Kupës së Japonisë siç njihet në këtë vend.

Skuadra bëri sensacionin kur e fitoi ‘Kupën e Perandorit’, që ishte trofeu i parë në histori të skuadrës, e që njëherësh ishte edhe ndeshja e fundit e sulmuesit spanjoll David Villa. Që nga ajo kohë edhe Podolski është larguar nga ekipi japonez.

Të ngjashme