Për organizatën joqeveritare “Ec Ma Ndryshe” rrënimi eventual i ish-objektit të “Gërmisë” në Prishtinë, automatikisht do të jetë shkelje ligjore. Ani pse nuk ka një vendim përfundimtar – nëse ish-objekti i ndërmarrjes shoqërore do të rrënohet për t’i lënë vend ndërtimit të një objekti të ri, apo do të përshtatet për sallë koncertale – “Ec…” ua përkujton autoriteteve komunale se opsioni i parë, pos është që është i papranueshëm, bie ndesh me Ligjin për trashëgimi kulturore, meqë ky objekt është propozuar që të shpallet monument.
“’EC Ma Ndryshe’ përkujton që në bazë të ligjit në fuqi për Trashëgimi kulturore dhe Rregullores mbi Regjistrimin, Dokumentimin, Vlerësimin dhe Përzgjedhjen e Trashëgimisë për Mbrojtje, çdo ndërtesë e propozuar për mbrojtje nga personat fizikë apo juridikë, me automatizëm gëzon statusin e mbrojtjes së përkohshme dhe hyn në proces të vlerësimit për mbrojtje të përhershme”, shkruhet në reagimin e kësaj organizate me seli në Prizren.
Lista e përkohshme për trashëgimi kulturore e shpallur vitin e kaluar nga Ministria e Kulturës ka afat deri në ditën e dhjetë të këtij muaji. Reagimi i gjatë i “Ec…” vjen një javë pasi “DoCuMoMo Kosova”, dega në Prishtinë e organizatës ndërkombëtare, që merret me mbrojtjen e objekteve moderne “Docomomo International”, ka nisur peticion kundër rrënimit.
Edhe “Ec… “ objektin e ndërtuar në vitin 1972 e konsideron si një nga ndërtesat më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe pjesë e kujtesës kolektive të saj.