“Nuk e besoj që ka pasur qëllim të krijojë mjegulli më shumë sesa që ka dosje, ndoshta është i ndikuar nga opozita, mund të ketë barrë politike”, ka deklaruar Mehmeti.
Ish-hetuesi policor në veri, Murat Mehmeti deklaratën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit, por që s’mund t’i bëjë publike arsyet për shkak të hetimeve e ka cilësuar si “anomali” në aspektin juridik.
Mehmeti ka thënë se është e palogjikshme juridikisht që të gjithë ata që dyshoheshin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë mbajtur në arrestim ndërsa urdhërdhënësi të mos jetë në paraburgim.
“Juridikisht është e palogjikshme, të gjithë që janë mbajtur në arrestim që dyshohen se e kanë ndihmuar për vrasje ose dicka e tillë, ndërsa urdhërdhënësi të mos jetë i arrestuar. Është anomali në aspektin juridik”, ka thënë Mehmeti.
Ai thotë se për këtë deklaratë ndoshta Isufaj mund të ketë qenë i ndikuar nga opozita.
“Nuk e besoj që ka pasur qëllim të krijojë mjegulli më shumë sesa që ka dosje, ndoshta është i ndikuar nga opozita, mund të ketë barrë politike”, ka vijuar ai.
Sipas tij, qeveria nuk duhet të ndërhyjë në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit e as në rastin e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.
Ndërsa në anën tjetër, ish-zv.sekretari në Ministrinë e Drejtësisë, Ardian Bajraktari ka thënë se deklarata e Isufajt e mjegulloi opinionin publik.
“Deklaroi në formë të mllefit sikur po komunikonte me ndonjë institucion, kam përshtypjen se e mjegulloi opinionin, nuk dha informata të arsyeshme për hir të publikut” ka thënë ai.
Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që kjo të jetë një taktikë që të bëhen hetime e vëzhgime të mëtutjeshme.
“Mund të kemi masa të fshehta, hetime e vëzhgime varësisht prej asaj si e ndërtojnë cështjen”, ka vijuar ai.
Ndryshe, Blerim Isufaj është i nominuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit, por deri tash ka pasur përplasje të vazhdueshme me liderët shtetërorë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka refuzuar dekretimin e tij.
Më 19 shkurt 2021, Prokuroria Speciale kishte kërkuar revokimin e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit ndërsa gjykata e kishte aprovuar këtë kërkesë më 23 shkurt 2021.
Urdhërarresti ishte lëshuar në gusht të 2020-ës nën dyshimin se Radoiçiq ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.