Shkëlzen Sopjani, ish-inspektor i AKI-së, ka thënë se organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë organizata që gjithmonë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Ai në emisionin “Frontal” në T7 ka deklaruar se për veprimtarinë e këtyre organizatave ka pasur informacione publiku por edhe AKI-ja.
“Informacioni për këto dy organizata nuk është që s’ka qenë publik dhe i publikuar në mjete të ndryshme të informimit, posaçërisht për ‘Rojet e Urës’ që ka ekzistuar prej pas lufte. Kjo tjetra ‘Brigada e Veriut’ është pak më e re. Këto kanë qenë organizata që kanë vepruar gjithmonë dhe rregullisht në kundërshtim me rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës”, ka thënë ai.
Lidhur me shpalljen terroriste të këtyre organizatave, Sopjani ka thënë se nuk ka qenë vendim i menduar mirë nga Qeveria e Kosovës.
“Sidoqoftë konteksti apo rrethanat në të cilat është marrë ky vendim nuk më është dok shumë i qëllum apo i menduar mirë. Sepse qeveria është treguar shpërfillëse ndaj partnerëve ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Përndryshe, dje Qeveria ka marrë vendim për të shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada).
Kryeministri Albin Kurti tha se këto dy organizata paraqesin kërcënim serioz për sigurinë e vendit.
“Bazuar në vlerësimet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës formacionet civile mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe komponenta e saj “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada), paraqesin kërcenim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikë së Kosovës”, ka thënë Kurti dje në mbledhjen e Qeverisë.