Ish-inspektori i AKI-së: Një pjesë e armatimit mund të ketë hyrë muaj më parë, serbët që sulmuan gabuan në tri kalkulime

Prishtinë | 27 Sht 2023 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Ish-inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Shkelzen Sopjani e cilëson ditën e diel ku ndodhi sulmi në veri si një “ndryshim të lojes” në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe dialogun Kosovë-Serbi.

Sopjani në një prononcim për GazetaBlic thekson se më asgjë nuk do të jetë e njëjtë, teksa shton se qëllimi i Serbisë ishte të shpallnin një lloj pavarësie në pjesën veriore të vendit

Sipas Sopjanit, këtë deklaratë e dëshmon numri i armeve që është gjetur.

“Dita e diel, ka qenë një “game changer i madh”, në të gjitha rrafshet, duket përfshirë edhe procesin e dialogut. Ka qenë një ndryshues i lojës jashtëzakonisht i madh dhe unë plotësisht besoj që asgjë nuk do të jetë e njëjtë që nga e diela, në krahasim me para ditës së diel. Kjo është shumë evidente. E diela i dha Serbisë tri leksione, sepse qëllimi i tyre nuk ka qenë thjeshtë të vijnë e ta vrasin një person, por qëllimi i tyre ka qenë ta shpallin një lloj pavarësie të asaj pjese. Kjo dëshmohet edhe me arsenalin që është gjetur”, tha Sopjani.

Sopjani thotë se personat që kryen sulmin terrorist në Veri të Kosovës, gabuan në tri kalkume, përfshirë këtu reagimet e popullatës civile serbe në atë pjesë të vendit.

“Ata gabuan në kalkulime në tri rrafshe. Rrafshi i parë gabuan në vlerësimin që e kanë pasur për reagimin e mundshëm të Policisë së Kosovës. Ata kanë nënçmuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe aftësitë e institucioneve të sigurisë, këtu duke përfshirë edhe vetë inteligjencën. Ata nuk kanë besuar që do të ketë një reagim kaq shpejtë. E dyta, kanë keq kalkuluar në reagimin e mundshëm të KFOR-it. Ndërsa në rrethanën e tretë ku kanë keq kalkuluar, është se nuk kanë besuar që nuk do të reagojë popullata civile serbe në atë pjesë, që nuk do t’u dalin krahë”, tha Sopjani.

Sopjani thotë se ka pasur mundësi që një pjesë e armatimit që u konfiskua nga Policia e Kosovës, të ketë hyrë edhe para shumë muajve.

“Sa i përket armatim i cili ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, sipas mendimit tim ai armatim ka hyrë gjatë një periudhe më të gjatë kohore dhe ndoshta një pjesë e atij armatimi ka hyrë aty edhe para shumë muajve. Krejt kjo si pasojë e terrenit në atë pjesë, ku kemi qindra rrugë ilegale që kalojnë nga territori i Republikës së Kosovës në Serbi dhe anasjelltas”, tha Sopjani.

Tutje, Sopjani potencon se rritja e kontrollit kufitar me Serbinë duhet të jetë dukshëm më e madhe.

“Kur kemi parasysh edhe gjatësinë e vijës kufitare me Serbinë, vërehet qartë se nuk është e lehtë të kontrollohet sa duhet tërë ajo vijë kufitare, sidoqoftë Policia e Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht edhe KFOR duhet të shtojnë aktivitetet në mbikëqyrjen e kufirit dhe njëkohësisht të rrisin edhe kontrollin kufitar me Serbinë”, tha Sopjani.

Të ngjashme