Ish-kampioni olimpik në vrapim 1500 metra, Asbel Kiprop, ka thënë se do t’ia kthejë shpinën atletikës për të provuar veten në motoçiklizëm.
Kiprop ka fituar të artën në Lojërat Olimpike “Pekini 2008”, ndërsa aktualisht është i suspenduar për doping. Ai është suspenduar për katër vite, në prill të vitit 2019.
Keniasi 30-vjeçar i është bashkuar bashkuar një klubi në Nairobi për të përmirësuar aftësitë e drejtimit të motoçikletës.
“Jam i gatshëm të fillojë sërish në një sport që nuk ka konspiracion dopingu”, ka shkruar Kiprop në Twitter. “Do të jem i durueshëm sërish për të qenë në gjendje që të shpallem kampion edhe në këtë sport”.
Kiprop është testuar pozitiv për “erythropoietin” në një test jashtë garave, në nëntor të vitit 2017. Por ai insiston se është i pastër.
Kiprop ka edhe tre tituj të botës në vrapim 1500 metra. Të fundit e ka fituar në vitin 2015.