Eksperti i Fondacionit të Trashëgimisë Konservatore të SHBA-së, Luke Coffey, ka thënë se nuk beson që i dërguari i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë Serbi, Richard Grenell, do të mundet që ta zgjidhë shpejtë çështjen në mes dy vendeve.
Ai ka thënë se Uashingtoni duhet të jetë i vëmendshëm me Serbinë.
Coffey i cili e ka këshilluar Grenell me ekspertë të tjerë nga Fondacioni i Trashëgimisë të afërt me administratën e Donald Trump, ka thënë për Zëri i Amerikës se “nuk aq realiste” që një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë që mund ta arrihet para pranverës së 2020-ës, transmeton Klan Kosova.
“Nëse shihni situatën politike në Kosovë dhe zgjedhjet që pritet të mbahen në Serbi, unë me të vërtetë nuk shoh para pranverës që vjen një marrëveshje e madhe Kosovë-Serbi. Shpresoj ta kem gabim – unë shpresoj që një marrëveshje ta kemi – por që s’jam gjithaq optimist”, ka thënë Coffey.
Ai ka theksuar se në një letër dërguar Grenell ka thënë se SHBA duhet të jetë e vëmendshme me Serbinë sepse sipas tij ka sinjale konfuze që vijnë nga Beogradi.
“Është sikur ta jetë një polic i mirë dhe tjetri i keq. Presidenti thotë diçka, Kryeministrja diçka tjetër. Kryeministrja zakonisht flet për audiencën evropiane. Kjo nuk duhet të na mashtrojë, ne duhet që të jemi syçelë. Ne sigurisht se duhet ta lëmë derën e hapur për Serbinë që t’i bashkohet komunitetit Euro-Atlantik, por që duhet ta kemi në mend edhe lidhjen historike, kulturore dhe fetare të Serbisë me Rusinë. Nuk mund të hamendësojmë se ajo nuk ekziston”.
Coffey ka këshilluar Grenell për të mos u bërë hartograf dhe ka kundërshtuar shkëmbimin territorial në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai ka shtuar se qëndrimi i ish këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, John Bolton, se nuk e kundërshtojnë prekjen e territoreve është “ide e gabuar”.
“Ne duhet që të mendojmë për efektet e një kufiri etnik në Evropë. Ajo do ta hapte Kutinë e Pandorës – jo vetëm në Ballkan, por edhe përtej. Shumë pyesin se pse Amerika do të ndërhynte në mes dyja vendeve. Sepse ne kemi investuar shumë dhe jemi përgjegjës pjerësisht për funksionimin e Kosovës si shtet i pavarur. Shkëmbimi i disa mijëra hektarëve të tokës për të përmbushur kërkrsat politike mund të ketë ndikim tejet negativ ne rajon, Evropë dhe, tekefundit, në sigurinë kombëtare të SHBA-së”.
Ai ka thënë se “Plani B” është për t’i inkurajuar të dy palët për të menaxhuar me territoret e tyre në mënyrë që ato të respektojnë të drejtat fetare dhe kombëtare të minoriteteve.
“Ka një mori vendesh në Evropë që kanë minoritete dhe duan t’i mbrojnë ato në mënyrë që të mos kalojnë kufi. Ky është shembull që e kam cekur në letrën time dërguar Grenell se ata që propozojnë zgjidhje të shpejta dhe të lehta duhet të jenë të vëmendshëm”.