Ish-këshilltari i Glauk Konjufcës, Kreshnik Ahmeti e ka quajtur të vonuar vendimin që ambasadorja Vlora Çitaku të kthehet në Kosovë ,raporton Gazeta Express.
Ahmeti ka thënë se fakti që presidenti Thaçi nuk ka vepruar mbi kërkesën e ish-ministrit Konjufca por mbi kërkesën e Çitakut tregon se kjo ka të bëjë me pazare partiake.
“Fakti që Presidenti nuk ka vepruar mbi kërkesën e Ministrit Konjufca, por ka kërkuar që vendimi për tërheqje të vjen si rezultat i kërkesës së znj. Çitaku, është edhe një shenjë që këtu nuk kemi të bëjmë me vendim për respektim të ligjit, por për pazare partiake”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti tutje ka thënë se Çitaku ka qëndruar në ShBA jashtëligjshëm.
“Shërbimi i Jashtëm rregullohet me akte ligjore e nënligjore. Aty përcaktohen mandatet e sakta dhe askush nuk mund ta trajtojë këtë mekanizëm të rëndësishëm të politikës së jashtme, si hapësirë individuale të cilën e uzurpon dhe e lë kur të ka dëshirë. Bashkë me znj. Çitaku nuk po kthehen edhe shefat e tjerë të misioneve, të caktuar me çelës politik, e të cilët po qëndrojnë ende jashtëligjshëm, sikurse ka qëndruar edhe znj. Çitaku”, ka thënë ai.