Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Ismail Syla, është shfaqur i ashpër ndaj qasjes së Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, karshi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Syla deklaroi se është paradoks dhe më se e papritur që pikërisht në këtë kohë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës të vihet në bankën e të akuzuarit, njofton Klan Kosova.
”Derisa Komisioni për të Pagjetur përpiqet për të gjetur mbetjet mortore të shqiptarëve që kanë qenë të vrarë, të masakruar, të varrosur brenda frigoriferësh anë e mbanë shtetit të Serbisë, unë çuditem se si dikush sot në peshoren e farmacisë, përpiqet t’i barazpeshojë krimet e Serbisë, krimet e shtetit serb, me gjoja krimet që paska bërë UÇK-ja në luftë a pas lufte”.
”Kjo është ana më paradoksale dhe më e papritur që Kosova në këto momente që po kalon, kur ende se ka të rrumbullakuar shtetësinë, ne të merremi dhe ta vëmë në bankën e të akuzuarit UÇK-në”.
Referuar deklaratave të Gërvallës dhënë në një intervistë për një gazetë zvicerane, Syla mes tjerash në Info Magazine, theksoi se UÇK-ja nuk ka individë të pastër apo të ngarkuar me krime, njofton Klan Kosova.
”UÇK-ja nuk ka individë të pastër dhe individë të ngarkuar me krime e pa krime, UÇK është organizatë politiko-ushtarake, që ka dalë nga gjiri i këtij populli, nga bijtë dhe bijat më të mirë të këtij kombi”.
”Është forcë çlirimtare, ka luftuar në tokën e vet, ka luftuar për interesat e kombit të vet. Ka dalë fitimtare së bashku me botën perëndimore, më fuqinë kryesore të udhëhequra nga Madeleine Albright dhe perëndimi”.
”Dhe sot ta etiketosh UÇK-në përmes individëve si organizatë kriminale të përbashkët është paradoksi më i madh dhe është pikërisht dëmi më i madh që sot po i sjell Kosovës klubi politik së cilit mjerisht i përket edhe Gërvalla”.